Ishte 15 maji i 2017-s, kur një telefonatë në numrin 129 të Policisë njoftonte se në malin e Dajtit ishte trupi i masakruar i një personi.
Policia dhe ekipi mjekësor bënë me dije rreth 24 orë më vonë se nuk kishin mundur dot ta identifikonin kufomën, për shkak se ishte tejet e dekompozuar, për shkak të plagëve të djegieve. U listuan një mori personash të zhdukur, u krahasuan ADN-të, Policia tha se po verifikonte çdo kërkesë dhe person që vinte në morg të përballej me trupin e masakruar, por brenda pak ditësh, ngjarja e Dajtit u harrua.
Aso kohe kishte shumë viktima që prodhonte droga, kryesisht ajo e kultivuara e për pasojë Policia e ndaloi kërkimin për ta identifikuar viktimën që rezultonte i dhunuar, i lidhur dhe më pas i vrarë. Pasi kishin kryer të gjitha këto veprime, autorët i kishin vënë edhe flakën, duke e djegur plotësisht thuajse. Por, Policia në fakt edhe aso kohe bëri me dije se një pjesë nga këmba e majtë kishte mbetur e padëmtuar, pjesë që sipas të dhënave ka çuar në zbardhjen e një akti monstruoz të kryer ndaj tij nga njerëz shumë të afërt dhe të njohur. Policia dje ka njoftuar detaje në lidhje me këtë ngjarje, por pa shpjeguar se si u la pas dore ai krim horror ndërkohë që personat që rezultojnë vrasës të tij, të paktën kështu thotë Policia, kanë qenë edhe njerëz publik, e madje kishin në dorë edhe fatin e fëmijëve jetimë.
NGJARJA
Policia e Tiranës bëri me dije se një trup i dekompozuar i gjetur në vitin 2017 në Kodër Shupal u identifikua nga Policia e Tiranës si Menduh Kurtdeda. Për vrasjen e tij u arrestuan Gazmir Ngota 39 vjeç dhe Marjeta Karaj 56 vjeçe. Ndërsa djali i kësaj të fundit, Besmir Karaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ka rezultuar se ndodhet në Itali prej më shumë se dy vitesh. Policia bën me dije se shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një borxh prej 1 milion lekësh që viktima nuk ia kishte shlyer Marjeta Karajt, me të cilën kishin krijuar një fondacion për kujdesin e fëmijëve jetim të ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit.
Dyshimet janë se mes tyre kishte edhe një lidhje intime, sërish sipas Policisë. Zyrtarisht, kryepolici i Tiranës bëri me dije se Menduh Kurtdeda, me origjinë nga Dibra, kishte banuar në Lukovë të Sarandës, ndërkohë që ai ishte bashkëpunëtor i Marjeta Karajt në organizatën e saj. Ai në fakt ka bashkëpunuar me gruan dhe se nuk është fshehur në Tiranë, por duke qenë i divorcuar, ai është zhvendosur në Tiranë ku edhe është marrë peng nga djali i Marjetës dhe shoku i ngushtë i tij. Sipas të dhënave jo policore, bëhet me dije se ai i kishte marrë një shumë prej 10 milionë lekësh të vjetra mikeshës dhe bashkëpunëtores së tij dhe nuk kishte mundur t’ia kthente.
Dhe ditën që është takuar në zonën e “Xhamllikut” ai ka biseduar me ta, duke iu dhënë edhe argumente, por sipas Policisë, dy të rinjtë dhe mikja e tij nuk i kanë pranuar. Ai është futur në një automjet dhe është dërguar në zonën e Alliasit, thotë Policia. Atje është dhunuar, sipas Policisë edhe nga gruaja, dhe më pas është dërguar në vendin ku edhe është vrarë dhe djegur. Ngjarja ka ndodhur plot 5 vite më parë, ndërkohë që sipas të dhënave Menduhi ishte baba i tre fëmijëve nga martesa e tij, e dy djemve dhe e një vajze. Policia ende nuk di të shpjegojë se pse është lënë kaq vite i pazbardhur ai krim, ndërkohë që ditën e djeshme është bërë me dije se gruaja ka mohuar jo vetëm autorësinë por edhe dijeninë në lidhje me krimin, por ka qenë shoku i djalit, që dyshohet se ka treguar gjithçka me detaje në lidhje me shkaqet dhe mënyrën barbare të ekzekutimit të dibranit, mik i familjes Karaj./Panorama