Së fundmi autoritetet në Amsterdam kanë marrë një iniciativë që ka si synim të ndalojë shitjen e kanabisit gjatë fundjavave, të limitojë festat dhe të mbyllë më herët shtëpitë publike përgjatë atij që njihet si distrikti i dritave të kuqe.
Kryeqyteti holandez pritet që t’i japë një formë tjetër reputacionit të tij global për “fundjavat e lira” dhe fokusi do të shkojë drejt “gurëve të çmuar” që kanë institucionet kulturore të qytetit. Për 880.000 banorët e qytetit, grupet e turistëve që vizitojnë Amsterdamin për fundjava shkaktojnë incidente nëpër qytet dhe si duket britanikët janë ata që mbajnë rekord. Këto ndryshime do t’u krijonin mundësi vendasve që të rimarrin kontrollin e qytetit të tyre dhe të pastrojnë atë që njihet si turizmi i gradës së ulët për të cilin njihet prej kohësh tashmë.
Planet në fjalë u njoftuan të mërkurën, ndërsa në qytet pritet të nisë fushata “qëndroni larg” vitin që vjen. Qëllimi i fushatës është që të dekurajojë turistët e huaj që si qëllim kryesor kanë të shfrytëzojnë liritë më “famëkeqe” të qytetit. Me rregullat e reja, baret dhe club-et do të kenë orar të limituar dhe do të mbyllen rreth orës 02:00 të mëngjesit. Po ashtu, edhe shtëpitë publike në distriktin e dritave të kuqe do të kenë orar të kufizuar hapjeje. Edhe konsumimi i kanabisit në disa zona të qytetit do të jetë i ndaluar.