Nga Jakin Marena/
Ne krye të herës ajo që dua nënvizoj me forcë është se jemi e duhet të jemi në mënyrë kategorike kundër përdorimit të dhunës, jo vetëm në politikë por dhe në jetën e përditshme. Kudo qoftë. Aq më tepër jam ndjerë shumë i trishtuar, mendoj se dhe shumë të tjerë janë i të njejtit mendim, kur kam parë në videon e pasqyruar nga mediat shqiptare se si një i ri 31 vjeçar goditi me grusht në fytyrë në mes të turmës, në sytë e njerëzve të familjes, të mbështetësve të tij, liderin historik të demokratëve, njeriun që ka qënë prezent me rol në politikë për 32 vite me radhë, Sali Berisha.
Për më tepër që goditja me grusht në fytyrë u bë ndaj një plaku të moshuar, 79 vjeç, anipse është në krye të grupimit më të madh të PD. Por jam i sigurtë që në të gjithë jetën e vet nuk është zënë me askënd me grushte, pasi ka qënë një tip “peshkopi” gjatë studimeve parauniversitare dhe universitare, një tip “Lej Feni” në punë gjatë regjimit komunist, me objektiv të vetëm sjelljen e mirë, servilizmin ndaj udhëheqjes komuniste të asaj kohe. Kanë qënë normale këto për një karrierist ‘rrace” për të marrë teserën e partisë, të cilën Berisha e mbajti për 25 vite me radhë, për të zënë në vend pune në Tiranë dhe për t’u treguar i devotshëm me të gjitha mënyrat, për të marrë ndonjë specializim jashtë shtetit, për të bërë një rrugë jashtë shtetit dhe me objektivin primar për të qënë mjek në “Bllokun” e udhëheqjes komuniste.
Përmenda vetëm kohën para vitit 1990, pasi me konvertimin nga sekretar i PPSH në themelues dhe më pas kryetar i PD, qëndrimi i Berishës ndryshoi thellësisht. Nga një profesor i respektuar e neurokardiolog shumë i mirë u kthye në një politikan të pa skrupuj, që në të gjitha rastet për qëllimet e tij politike, urdhëroi të tjerë të kryenin dhunë, masakra, vrasje dhe deri zhdukje të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë PD, të cilët në një formë apo tjetër i rrezikonin pushtetin. Njeriu që nuk ishte rrahur me askënd me grushte për 46 vite me radhë të jetës së tij deri në vitin 1990, për 32 vite të tjera të post-komunizmit i provoi dhe i ‘realizoi’ të gjitha: Që nga dhuna ndaj ish bashkëpunëtorëve politikë, dhuna ndaj kundërshtarëve politikë e deri tek zhdukja e veprimtarëve politikë të Kosovës, siç ishte rasti i Remzi Hoxhës, apo ish bashkëpunëtorëve të tij në PD për të cilat ka akuza që, në një formë apo tjetër janë larguar nga kjo jetë dhe për faj apo deri me urdhër të tij. Por dhunën e ka përdorur deri tek shkatërrimi i shtetit nga themelet në vitin 1997, teksa kishte shtruar në ‘dru’ opozitën socialiste të asaj kohe për pesë vite me radhë, kishte plasur në burg kreun e saj Fatos Nano, kishte vjedhur zgjedhjet me dhunë më 26 maj 1996, për të lënë “litarin” nëpër këmbë më 1997 me hapjen e depove të armëve, ku në ato muaj u vranë mbi 3 mijë njerëz, ndërsa vrasjet vijojnë dhe sot. Pa “neglizhuar” këtu grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, ku mori institucionet dhe vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve e ktheu nga rruga ku ishte nisur.
Berisha akuzohet dhe se ka gisht në vrasjen e Azem Hajdarit, por dhe ka shkaktuar dhe trauma të mëdha tek shqiptarët, si me shpërthimin e Gërdecit, biznes i municioneve i djalit të tij Shkelzen që shkaktori 26 të vrarë e mbi 300 të plagosur në 2008, vrasjen në mes të bulevardit përballë kryeministrisë të 4 demonstruesve të opozitës nga Garda më 21 janar 2011, krime këto për të cilat nuk ka dëshmuar kurrë përballë organeve të drejtësisë, qoftë dhe për të marrë zyrtarisht pafajësi nga gjykatat shqiptare. Pra për 32 vite me radhë Berisha ka promovuar dhunën, ka ushtruar dhunën dhe ka përdorur një gjuhë të dhunshme, që për çdo shqiptar mbetet thellë në memorie e ngulitur. Aq më tepër që po hyn brezi i dytë që ka lindur dhe po rritet nën ‘epokën’ e Berishës, me Berishën në ekran, me Berishën në shesh, me Berishën në qeverisje apo opozitë. Janë shumë vite këto dhe krijontë trauma, dhe tek njerëzit me sëmundje mendore. Ngjarja e ditës së martë kur një i sëmurë mendor, që trajtohej nga mjeku psikiatër, me sa tha vetë mjeku Sadik Lala, ish student i Berishës dhe me sa kuptohet dhe mbështetës i tij sipas të cilit nëse nuk do kishte qënë i sëmurë, më 6 dhjetor do të ishte në protestën e thirrur nga Berisha, është një ngjarje e rëndë, një precedent i rrezikshëm. Pasi ekspozon politikanët përballë dhunës së njerëzve të rrugës, të sëmurëve mendorë apo dhe tipave vulnerabël. Ngjarja ndodhi jashtë “perimetrit” të sigurisë, dhe Berisha bashkë me bashkëpunëtorët e tij, kishin marrë përsipër të menaxhonin protestën brendapërbrenda saj, e cila deklarohej paqësore madje deri festive, pasi në të njejtën orë zhvillohej samiti i përbashkët i të gjithë liderëve të BE dhe të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Ishte e dhimbshme vërtetë të shihje gjendjen aspak dinjitoze të një 79 vjeçari i cili u godit në fytyrë me grusht nga një i ri me të sëmundje mendore, por ama i ri, që vetëm fati solli shpëtimin e Berishës, i cili dhe mund të ishte përplasur nga pas në trotuar, pasi të gjithë e panë se e humbi ndjeshëm ekuilibrin, pavarësisht se bën si i fortë. Përtej paaftësisë së truprojave të tij që e lanë Berishën në mëshirën e një të sëmuri mendor që bëri çfarë deshi me të, ishte fat që përdori vetëm grushtin, truproje që me sa duket daljen para mediave e shohin si një “sfilatë” përballë gazetareve, që për hir të së vërtetës, e kanë mendjen tek shkëputja e lajmit dhe jo tek “pozat” që mund të marrin badiguardët e liderit që është në krye të turmës, ajo që mund të themi është se në fund të herës, bëhet dhe llogaria politike. Berisha ia doli që me një mijë vetë dhe me një grusht fytyrës, nuk tentoi ta fshihte pasi doli dhe në podium për të mbajtur fjalën, madje dy herë, pra Berisha ia doli që të bëhej “maja” e të gjitha lajmeve të ditës në Shqipëri, duke shërbyer si “ushqim” për mediat shqptare të të gjitha llojeve.
Ndonëse me një kosto një tepër të rëndë fizike për të, Berisha e arriti qëllimin e tij që të paktën ta “ndante përgjysmë” ekranin televiziv, gjysmën e të cilit e zinte samiti i përbashkët i liderëve të BE me ata të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Ku spikaste Edi Rama si një zot “shtëpie” me një përkushtim maksimal ndaj miqve dhe organizim efikase, me një skenë të kuruar deri në detaje prej tij, dhe që mori vlerësimin e të gjithë liderëve të BE dhe rajonit të mbledhur për të parën herë në një samit të këtyre përmasave në një vend të Ballkanit Perëndimor, por dhe në Shqipëri. Kush fitoi dhe kush humbi, kush ishte i interesuar për një incident të tillë më 6 dhjetor, në ditën kur Tirana ishte kthyer për një ditë në “kryeqytet” i Europës?! Ajo që mund të themi në krye të herës është se Edi Rama nuk fitonte në asnjë rast nga një incident i tillë me liderin e grupimit më të madh në PD, Sali Berisha. Përkundrazi. Kush ka qënë në ndonjë dasëm mund ta kuptojë fare lehtë këtë, pasi dihet që drejtuesi i dasmës është njeriu më i interesuar për shnangien e incidentëve, qoftë dhe nga pijetarët profesionistë, pasi prish dasmën e tij. Madje kujdesi më i madh tregohet pikërisht ndaj atyre grindavecëve apo pijetarëve që nuk e mbajnë pijën, që të mos u lejohet asnjë pretekst për sherr dhe prishjen e dasmës. Dhe Rama, ishte në rolin e një ‘kryetari’ në këtë dasmë të madhe për shqiptarët, që për të parën herë në tërë historinë e shtetit shqiptar ndjeheshin të barabartë mes të barbartëve me liderët e BE dhe të mëdhenjtë e Europës, që gjithnjë kanë vendosur për fatet e Shqipërisë.
Duke qënë se Rama ishte njeriu më pak i interesuar për të rrahur Berishën, për arsyet që përmendëm më sipër dhe shumë të tjera që mund të përmenden, ai është dhe njeriu që nuk ka përfituar asgjë nga ky incident. Përkundrazi, në vend që të gjithë ‘projektorët’ të drejtoheshin në masën 100 përqind ndaj aktivitetit të rëndësishëm të organizuar prej tij, ato ishin minimumi në 50 përqind të drejtuara nga ai. Pra atë që kërkoi Rama për muaj me radhë që kur u vendos të zhvillohej samiti në Tiranë, vëmendjen totale, nuk e mori. E ‘ndau’ me grushtin në fytyrën e Berishës. Që vijoi duke zënë ekranet në të gjitha emisionet e darkës. Nuk mund të themi se liderët e BE e shkëputën vëmendjen ndonjë çast prej samitit apo dhe organizatorit të tij, Edi Rama. Të kuptohemi. Nuk kishte asnjë fjalë, as keqardhjeje dhe asgjë në drejtim të Berishës, për goditjen me grusht në protestë nga 31 vjeçari, i sëmurë mendor. Nuk ka as deri më tani. E filluan dhe e mbaruan samitin, duke i qëndruar brenda kornizës së aktivitetit për të cilin kishin ardhur në Shqipëri. Pra Berisha nuk krijoi asnjë impakt, nuk lëvizi asnjë “muskul” në fytyrën e liderëve të BE. Por nga ana tjetër as opozita, poliutikisht nuk fitoi asgjë. Sëpaku “Rithemelimi” i drejtuar nga Sali Berisha. Nuk besoj se mund të shtojë ndonjë votë pas asaj që shqiptarët panë në bulevard, teksa në ekran u shfaq pamja kur lideri i tyre Berisha lëkundej sa para prapa nga një grusht i hedhur nga një i ri, apo kur mbajti fjalimet e tij me gjak dhe hematoma në fytyrë. Përkundrazi. Fundja Berisha nuk pretendon fitore, kërkon të tregojë se është në krye të formacionit më të madh politik opozitar në Shqipëri, dhe në këtë “parcelë’ politike bën ligjin. Kaq!
Nërsa Berisha gjithnjë është shfaqur si një lider i fortë, ajo që panë shqiptarët më 6 dhjetor, ishte një lider plak i rrënuar, që ka konsumuar çdo lloj pushteti, një lider të vetmuar që rrethohej nga afër një mijë njerëz që e mbështesnin, e për më tepër një lider plak të rrahur keq në mes të bulevardit. Pra nuk panë një lider të fortë që imponon forcë dhe frymë force, por një plak të lodhur dhe të rrahur, gjendja më e tmerrshme për një lider politik, ndonëse thotë se ka marrë përsipër sjelljen e shpresës në këtë vend. Kjo situatë pas grushtit në fytyrën e tij nuk ngjall shpresë. Madje as kur ke afër aleatin që “thyen në mes” më të fortin she “që godet me të parën”, Ilir Metën, i cili jo vetëm që nuk arriti të shpëtojë “pikën e dobët” të tij Sali Berishën, por sipas asaj që pamë dukej sikur kishte një gëzim të lig të fytyrë. Ndoshta “iluzion” pamor i krijuar përmes fotove, por kjo ka mbetur në perceptimin e shqiptarëve për liderin e “2 marsit” apo ‘marsionin’ siç duan ta cilësojnë bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Koston politike të Berishës para shqiptarëve nuk e shpëton as dhuna e ushtruar ndaj të sëmurit mendor që e qëlloi me grusht në mes të bulevardit dhe në mes të truprojave të tij. As “hetuesia” politike që iu bë në selinë e PD dhe për të cilën organet ligjzbatuese kanë filluar një hetim. I kanë me zë dhe figurë ata, deklarohen dhe në emisione televizive.
Nuk e zhbëjnë rrahjen e Berishës as akuzat ndaj Ramës, “armik në dispozicion”, as akuzat ndaj ministrit të Brendshëm apo Ardi Veliut. Se kemi kuptuar asnjëherë se pse sërish Berisha e quan drejtor policie Veliun, ndonëse është në një rang shumë më të ulët. Por puna e tij, i është fiksuar ndoshta. Dhe mosha bën të vetën. Rrahjen e Berishës nuk e zhbën as teoria konspirative që po thuret në selinë buzë Lanës, me akuza për njerëz të Erdogan të dalë nga xhamia e Tabakëve që organizuan sulmin, me akuza për “klubin e krishterë” të mbledhur në samit, apo me elementë të tjerë që vetëm mendja e Berishës mund t’i shpikë dhe t’i përcjellë tek mbështetësit e tij për t’i rideklaruar më pas në media. Në fund të herës i fituari mediatik, por i humburi politik është Sali Berisha, i cili teksa për 32 vite me radhë ushtroi dhunë e thirri dhunën, në pleqërinë e thellë të tij e pësoi po nga dhuna. Ndoshta Berisha mund të ndjehet i ‘ngushëlluar’ nga fakti se është rrahur dhe Berluskoni në Itali, të cilit i është thyer kocka e hundës por dhe dy dhëmbë. I kanë futur disa herë shpulla dhe Macronit në Francë. Por ama ata nuk kanë pasur as kanë në themel të filozofisë qeverisëse të shtetit apo partiake, dhunën apo të bërit si të fortë para turmave të militantëve e qytetarëve.
Berisha kështu njihet, si lider i fortë. Por deri më 6 dhjetor, kur një i sëmurë mendor e qëlloi me grusht. Për më tepër që e thotë shpesh se është malësor safi, me rregulla, që s’preket nga askush. Ah po. Berisha është bërë sot “star” i MEME-ve. Këtë e ka fituar, madje i ka ‘zënë’ vendin dhe Bashës. Nga dje në sytë e militantëve dhe Berisha nuk është më një lider i paprekshëm, pasi ai mund të qëllohet me shpulla apo më grusht fytyrës. Për më tepër nga një sëmurë mendor. Dhe kur të rreh edhe budallai i lagjes, atëherë askush nuk të bën më derman. Ke prekur fundin. Qoftë dhe politikisht ku nuk fiton asnjë votë në përballjet elektorale, përkundrazi. Anipse ke qënë në qendër të mediave, jo sepse ke “lebetitur kryeministrin Rama dhe regjimin” e tij, por sepse të kanë rrahur në këtë moshë. Lusim Zotin të paktën që ky i sëmurë mendor ta ketë jetën e gjatë, por dhe të marrë dënimin që meriton për dhunën ndaj Berishës. Se Shqipëria është e vështirë dhe për të marrët.