Telenovela ligjore në dyert e Gjykatës mbi drejtimin e PD-së do të rinisë në sezonin e ri të janarit, por institucioni i Gardës së Republikës, që duhet të mbrojë liderin e opozitës, duket se e ka krijuar një ide të qartë mbi drejtimin e saj.
Debati se kush është kryetari i Partisë Demokratike mori një konotacion tjetër pas sulmit fizik ndaj Sali Berishës në 6 dhjetor, parë kjo edhe në aspektin e sigurisë fizike. Ligji për Gardën e Republikës parashikon se ky institucion merr në mbrojtje kryetarin e partisë më të madhe opozitare.
Se cila është partia, e tregon rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, por se kush është kryetari, vijon të jetë temë e debatit publik. A2 CNN pyeti Gardën e Republikës nëse Sali Berisha është person në mbrojtje si kryetar i PD-së.
“Kryeministri, pas mbarimit të mandatit qeverisës, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 4 vjet. Kështu, Sali Berisha ka gëzuar të drejtën e mbrojtjes personale sipas statusit të ish-kryeministrit. Pas mbarimit të statusit, nuk është ruajtur më nga Garda e Republikës”, shpjegohet nga Garda e Republikës
Gjykata e Tiranës vijon të njohë si kryetar të PD Lulzim Bashën pavarësisht dorëheqjes së tij, ndërsa Garda ia ka hequr mbrojtjen kryetarit pikërisht kur ai u largua nga drejtimi i partisë, duke ia deleguar atë Enkelejd Alibeajt.
“Pas zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021, sipas parashikimit ligjor të sipërcituar, Garda e Republikës mori në ruajtje dhe mbrojtje Kryetarin e Partisë më të madhe opozitare, funksion i cili ushtrohej nga z. Lulzim Basha. Ky i fundit u ruajt deri në momentin kur dha dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit. Sa i përket z. Enkelejd Alibeajt, nuk është ruajtur dhe mbrojtur në asnjë moment nga Garda e Republikës, pasi nënkryetarët e partive nuk janë subjekt për t’u siguruar nga Garda”, thuhet ne deklarimin e ardhgur nga Garda e Republikës
Institucioni i Gardës duket të jetë i pari që ka njohur de jure e “de facto” largimin e Bashës duke i hequr atij mbrojtjen, ndërsa se cili është pasuesi, pret ta saktësojë Gjykata që 12 muajt e 2022 i pa si të pamjaftueshme për të dhënë këtë vendim.