Xherdan Shaqiri në olimpin e futbollit zviceran dhe tani përgatitet që të sfidojë Kristiano Ronaldon dhe Portugalinë e tij, për një biletë në çerekfinalet e Kupës së Botës. 24 orë përpara sfidës, mesfushori kosovar i natyralizuar zviceran, është futbollisti që numëron më shumë ndeshje në një Kupë Bote (11), përveç se 111 prezenca me helvetët. Nga viti 2014 e në vazhdim vetëm ata, Ronaldo dhe Mesi, kanë shënuar nga një gol në edicionet e një Botërori:

“Të jem në të njëjtën ‘tavolinë’ me Ronaldon dhe Mesin është diçka speciale për mua, pasi po flasim për dy lojtarët më të mirë në botë”, bën hyrjen e tij Shaqiri, në konferencën për shtyp, përpara 50 gazetarëve.

Pas eliminimit të dytë radhazi që i rezervoi Serbisë në një Botëror, nuk kishin se si të mungonin pyetjet rreth kësaj teme, ndonëse në duelin e fundit Xherdani e frenoi euforinë e tij:

“E dija që në vitin 2018 se çfarë do të na priste. E doja sërish një gol ndaj Serbisë dhe jam i lumtur që ai erdhi sërish. Në një ndeshje si kjo besoj e kuptoni grumbullin e emocioneve që më përfshijnë, por këtë herë isha edhe më i përqendruar, më i përmbajtur, madje doja që ta luaja deri në fund atë sfidë, – vazhdon Shaqiri, i cili pranon edhe tensionin me trajnerin Jakin, pas zëvendësimit. – Pse u irritova? Nuk isha i lumtur, sepse brenda meje besoja se mund ta kishim shënuar edhe një gol, i cili mund të na kishte dhuruar në 1/8-at duelin me Korenë e Jugut.
Fakti që Brazili po humbte dhe neve na duhej vetëm një gol për të dalë të parët më nervozoi disi dhe këtë ia thashë edhe trajnerit.

Gjithsesi, ai e kuptoi që ishte vetëm një eufori e momentit dhe aty përfundoi gjithçka”. Lidhur me gjestin e Granit Xhakës që i tregoi gjenitalet pankinës së Serbisë dhe në pritje të ndeshjes me Portugalinë, Shaqiri nënvizon: “Në atë sfidë mua me Granitin na vërshëllenin sa herë që preknim topin.

Por unë ia tregova pas golit duke i vënë në heshtje, ndërsa për sa i përket Xhakës mendoj se i dërgoi përshëndetjen dikujt që do ta ketë provokuar i pari. Portugezët e duan Ronaldon në stol ndaj nesh? Kini kujdes kur jepni për të vdekur një si Kristiano Ronaldo. Për mua, ai së bashku me Mesin mbeten lojtarët më të mirë në botë.

Një si CR7 mund të të shënojë në çdo sekondë të ndeshjes, edhe kur nuk vihet në kushtet e duhura. Mund të jetë 37 vjeç, por me eksperiencën që ka nuk të lë kurrë të qetë psikologjikisht, prandaj të mos flasim të tilla budalliqe, por të jemi të përqendruar maksimalisht. Edhe pse, Zvicra ime e ka treguar se nuk i trembet as Portugalisë dhe askujt tjetër”, përfundoi Shaqiri.