Jesse Lingard është rritur te Manchester United, ai është një tifoz i zjarrtë i “Djajve të Kuq”, por verën që lamë pas përfundoi aventura në “Old Trafford” dhe firmosi si lojtar i lirë me Nottingham Forest. Sulmuesi anglez e vuajti largimin nga United. Në një rrëfim për BBC, 30-vjeçari u shpreh se kurrë nuk e kuptoi pse nuk po luante më me ekipin e zemrës.
“Nuk e di pse nuk aktivizohesha, nuk e di realisht se cili ishte problemi. Ndoshta politika e dhomave të zhveshjes ose diçka tjetër, nuk ia kam idenë. Ende sot nuk kam marrë një përgjigje, por as nuk kam pyetur për shkakun. Do të kisha preferuar që dikush, duke respektuar gjithë kohën që kalova tek United, të më thoshte ‘ky është shkaku pse nuk po luan’, por askush nuk e bëri. Kishte vetëm premtime të rreme.
Jam stërvitur fort, isha në formë, por nuk luaja. Isha gati për ndeshje, por kur një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë trishtohesh shumë, nuk është e lehtë ta përballosh.
Nuk jam tip që dua të ul shokët, jam pozitiv. Gjithmonë stërvitesha fort për të përfituar minutat e mia, por viti i fundit tek United ishte shumë i komplikuar”, u shpreh Lingard.