Të hënën u miratua Korniza Globale e Biodiversitetit Kunming-Montreal. Marrëveshja përfshin katër synime dhe 23 objektiva që duhet të arrihen deri në vitin 2030. Një nga objektivat kryesore të kornizës kërkon përfundimin ose vazhdimin e restaurimit të të paktën 30 për qind të ekosistemeve tokësore, ujërave të brendshme dhe ekosistemeve bregdetare e detare të degraduara.
Ministri Huang Runqiu në mbledhje(Foto:VCG)
Ministri Huang Runqiu në mbledhje(Foto:VCG)
Në dokument kërkohet gjithashtu shtimi i financimit ndërkombëtar nga vendet e zhvilluara për vendet në zhvillim, veçanërisht vendet më pak të zhvilluara, shtetet e vogla ishullore në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion, me të paktën 20 miliardë dollarë amerikanë në vit deri në vitin 2025 dhe të paktën 30 miliardë dollarë në vit deri në fund të vitit 2030.
Përveç kësaj, vendet nënshkruese ranë dakord për një paketë masash për të mbështetur zbatimin e qëllimeve dhe objektivave të përcaktuara.
Pas miratimit të kornizës, Huang Runqiu, kryetari i COP15-s dhe ministër i Ekologjisë dhe Mjedisit të Kinës, tha se paketa do të udhëheqë përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve për të ndaluar dhe zhbërë humbjen e biodiversitetit, për të vendosur botën në një rrugë rimëkëmbjeje me përfitime për mbarë njerëzimin.
Duke e cilësuar marrëveshjen “historike”, ministri Huang theksoi se korniza ka përshkruar vizionin 2050 të “të jetuarit në harmoni me natyrën”.
Kina tani ka kryesimin e COP15-s. Ajo zhvilloi vjet mbledhjen e fazës së parë në Kunming, kryeqendra e provincës Yunnan në Jugperëndim të vendit, dhe kryesoi fazën e dytë të COP15-s në Montreal të Kanadasë.
Nën kryesimin e Kinës, COP15 ka miratuar kornizën globale të biodiversitetit përpara afatit.
“A mund ta miratojmë? Po, nuk ka problem.” Huang i përsëriti herë pas here këto fjalë gjatë drejtimit të seancave plenare, duke mbledhur vendimet e delegatëve për të çuar përpara rendin e ditës.
Ministri kanadez i Mjedisit dhe Ndryshimit Klimatik, Steven Guilbeault, komentoi se ishte “COP më i rëndësishëm në histori”. “Ne hodhëm një hap të guximshëm përpara për të mbrojtur natyrën, për të mbrojtur ajrin që thithim dhe ujin që pimë. Dhe për këtë, zoti Kryetar, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës,” tha ai.
Gjatë kryesimit të COP15-s, Kina ka treguar aftësi udhëheqjeje në mbrojtjen e biodiversitetit global, theksoi Inger Andersen, drejtore ekzekutive e Programit të OKB-së për Mjedisin (UNEP). “Kina ka qenë e jashtëzakonshme”, u shpreh Andersen për “Xinhua”. “Unë do ta falënderoj Kinën për udhëheqjen e saj. Mendoj se kjo ka qenë diçka mjaft e jashtëzakonshme në kohë komplekse. Dhe ne e kemi parë Kinën të jetë shumë e palëkundur në këtë drejtim.”
Kina ka bërë përparim në mbrojtjen e biodiversitetit me veprime konkrete. Gjithsej 90 për qind e llojeve të ekosistemit tokësor të vendit dhe 74 për qind e llojeve kryesore të florës dhe faunës së egër të mbrojtura nga shteti janë vendosur nën masa efektive të mbrojtjes dhe janë restauruar e shtuar popullatat e egra të mbi 300 llojeve të florës dhe faunës së rrallë dhe të rrezikuar, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Ekologjisë dhe Mjedisit të Kinës.
Gjatë dekadës së fundit, Kina ka miratuar ose rishikuar më shumë se 20 ligje dhe rregullore në këtë drejtim, duke përfshirë Ligjin e Pyjeve, Ligjin për Stepën dhe Ligjin për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra, për të përmirësuar sistemet e saj të mbrojtjes së biodiversitetit.