Në “Rusi 2018” nuk goditi asnjëherë kuadratin, por ky duket Botërori i Olivie Zhirusë. Bashkë me Kilië Mbapenë ata po marrin prej dore kampionët e Botës dhe golashënuesi më i mirë i historisë së Francës thotë se është një ëndërr të luash përkrah golashënuesit më të mirë të këtij turneu.
“Kilië është qartazi sulmuesi më i mirë me të cilin unë kam luajtur gjatë gjithë karrierës sime. Ai është një sulmues i mrekullueshëm dhe është e frikshme, sepse është ende i ri dhe vetëm do të përmirësohet.
Ne nuk e kemi parë ende më të mirën e tij dhe shpresoj që të vijë së shpejti, sepse ne e dimë se ai do të thyejë të gjitha rekordet”, tha sulmuesi 36-vjeçar i Milanit në konferencë, i cili u ndal të komentonte edhe kërcënimin kryesor të rivalëve në çerekfinale, Anglisë:
“Kam folur me Hygo Lorisin për Kejnin, sepse ai ka një profil që ndoshta mund të krahasohet me timin. Është shumë i fuqishëm dhe në vitet e fundit ka zbritur më në thellësi në fushë për t’u përfshirë më shumë në lojë. Ai është gjithashtu shumë i mirë në pasime dhe një finalizues vrastar.
Është altruist me shokët dhe ka cilësinë për t’i vrarë kundërshtarët. Është një aset i shkëlqyer i kombëtares angleze. Kemi ngjashmëri së bashku, por edhe dallime”. Zhirusë i kërkohet nëse Franca ka stofin për ta mbrojtur titullin në Katar, por autori i 52 golave në 117 ndeshje mendon vetëm për Anglinë të shtunën:
“Mos u mërzisni, nuk ka eufori në kampin tonë. Kemi besim si skuadër dhe e dimë se do të përballemi me një skadër të fortë angleze në çerekfinale. Jemi 3 ndeshje larg fitimit të Botërorit, por nuk duam që të mendojmë për këtë.
Do të ishte e jashtëzakonshme për historinë tonë. Por më besoni, fillimisht jemi të përqendruar tek Anglia”. Rekordi i golave që i theu Henrisë këtë Botëror e motivon më shumë veteranin:
“Henri më ka folur gjithnjë në 11 vitet e mia me kombëtaren e Francës, në momentet e bukura dhe të këqija, duke më thënë gjëra të bukura.
Unë nuk isha duke luajtur në nivel shumë të lartë kur isha 20 vjeç, por ajo që kam bërë tregon se edhe pse mund të kërkojë pak kohë, nëse e ke dëshirën për të qenë i suksesshëm dhe punon fortë për një objektiv, atëherë mund të kapërcesh male. Këto 52 gola më bëjnë të ndihem shkëlqyeshëm. Kanë shumë rëndësi për mua. Më kanë çliruar.
Unë po luaj në një nivel interesant pavarësisht moshës sime 36-vjeçare, por unë kam zero kufij. Unë marr rolin e vëllait të madh me shokët dhe të gjithë në skuadër kanë një ndjesi pozitive”. Dhe në fund elozhet për trajnerin:
“Deshamp na ka ndryshuar drastikisht me mënyrën e tij të menaxhimit. Ai flet shumë me lojtarët, shkëmben ide, komunikon, më ka dhënë dëshirën për të konkurruar dhe fituar”.