Ylli Çabiri u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1950. U diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, dega “Mekanikë”. Studimet e Thelluara Pasuniversitare i kreu në Francë, në Universitetin Paris XI, për “Metalurgji fizike”. Fitoi vlerësimin “Shkëlqyer” nga Universiteti francez për Studimin e tij të Doktoraturës mbi Çeliqet shqiptare.

Deri në vitin 1988, ka punuar si: Drejtues i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Siderurgjike, më pas Drejtor në Këshillin e Ministrave, Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit me Jashtë dhe Zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme.

Në vitet e para të demokracisë, u emërua Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë në dy Qeveri: Qeverinë e Stabilitetit, të drejtuar nga Z. Ylli Bufi, dhe Qeverinë Teknike, të drejtuar nga Z. Vilson Ahmeti. Më pas punoi si Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, Ekspert Ndërkombëtar i monitorimit dhe vlerësimit të financimeve të Bashkimit Europian në shtetet e ndryshme të Ballkanit, Këshilltar politikash i Ambasadorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë dhe Këshilltar i Kryeministrit. Ylli Çabiri është themelues i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC).

Një numër i madh studimesh mbajnë autorësinë dhe kontributin e tij në fushën e qeverisjes së mirë, koordinimit të ndihmës së huaj, decentralizimit të pushtetit , ndarjes territoriale, ecurisë së reformave, varfërisë dhe pabarazisë, punësimit, arsimit, etj. Ylli Çabiri ka bashkëpunuar me të gjithë donatorët dhe institucionet ndërkombëtare të pranishëm në Shqipëri dhe ka kontribuar në konsulenca të rendësishme në vendet e Ballkanit. Ekspert drejtues i Raporteve të Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë dhe Kosovën. Autor i librit “Shqipëria mund të bëhet”.

Ylli Çabiri ka qenë anëtar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan. Është vlerësuar me titullin “Honoris Causa”, nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” – Elbasan ku shërbeu për disa vite si anëtar i Bordit drejtues të tij. Dr. Ylli Çabiri është Qytetar Nderi i Tiranës, Korçës dhe Beratit.