Botërori i Katarit është drejt fundit teksa do zhvillohen edhe dy ndeshje për të mësuar verdiktet finale. Në Francë kanë marrë masat që situata mos dalë nga kontrolli, njëjtë siç ndodhi dy ditë më parë. L’Equipe bën me dije se do jenë 12.800 policë dhe xhandarë të angazhuar në rrugët e Parisit dhe qyteteve kryesore franceze për ndeshjen e së shtunës mes Kroacisë dhe Marokut, e vlefshme për vendet 3 dhe 4.
Mobilizimi i policisë do jetë maksimal të diel, atëherë kur Franca luan finalen me Argjëntinën në “Lusail Stadium”. 14 mijë pjesëtarë të sigurisë do angazhohen në gjithë Francën. Paçka se Botërori zhvillohet mijëra kilometra larg, rezultatet e ndeshjeve mund të sjellin edhe tension mes tifozerive të ndryshme. Pak ditë më parë, pas fitores 2-0 të Francës kundër Marokut, tifozët u përleshën në Montpellie teksa një 14-vjeçar humbi jetën.