Negociatorët në një konferencë të OKB-së për biodiversitetin kanë rënë dakord të vënë nën mbrojtje të paktën 30% të zonave tokësore dhe detare të botës deri në vitin 2030.
Duartrokitje të gjata shpërthyen sot në Qendrën e Konventave të Montrealit kur u njoftua se përfaqësues nga qeveritë në mbarë botën kishin arritur marrëveshjen historike pas gati dy javësh bisedime. Kuadri i përbashkët gjithashtu bie dakord të rrisë financimin – veçanërisht për vendet në zhvillim dhe shtetet e vogla ishullore – për projekte për të parandaluar humbjen e mëtejshme të biodiversitetit. Plani parashikon mobilizimin e 200 miliardë dollarëve deri në vitin 2030 nga burime publike dhe private. Për më tepër, ai kërkon që 500 miliardë dollarë subvencione që dëmtojnë biodiversitetin të eliminohen ose reformohen në vit deri në fund të dekadës.
”Aktualisht, rreth 17% e ekosistemeve tokësore dhe ujore të brendshme dhe 10% e zonave detare janë nën mbrojtje formale”, thotë OKB. Organizatorët, shkencëtarët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare ishin mbledhur në qytetin kanadez për takimin – Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitetin, ose COP15 – që nga 7 dhjetori. Fillimisht, Konferenca e 15-të e OKB-së për Biodiversitetin ishte menduar të mbahej në Kinë në vitin 2020, por më pas u shty dhe u nda për shkak të situatës së vazhdueshme pandemike atje. Pjesa e parë e negociatave u zhvillua tetorin e kaluar, kryesisht online, në qytetin kinez të Kunmingut.