Fitorja e Arabisë Saudite ndaj Argjentinës shërbeu për historinë por jo për të ndihmuar përfaqësuesen saudite që të vazhdonte më tej në turne. Suksesi historik 2-1 vuri në dyshim vazhdimësinë e Mesi & Co dhe cilësohet si një nga surprizat më të mëdha në historinë e një turneu të tillë. Nje surprizë që u përfol se do të shoqërohej me një dhuratë të ccmendur nga Mbreti i Arabisë Saudite, pasi u përhap lajmi se secili lojtar do të përfitonte nga një makinë Rolls-Royce. Por e vërteta duket se është krejtësisht ndryshe, pasi lojtarët sauditë nuk e kanë marrë një dhuratë të tillë. Jaser Al Misehal, presidenti i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite, ka zbuluar për të përditshmen spanjolle “Marca” se ishte vetëm një trillim.

“Jo, jo, jo. Lojtarët tanë kanë luajtur për krenarinë që të përfaqësojnë vendin e tyre. Kishin nderin dhe fatin që të përfaqësonin ekipin kombëtar në një ndeshje historike, ndaj Argjentinës. Zërat nuk janë të vërtetë. Sigurisht, do të kenë një bonus, por është një bonus normal. Ka rregulla për këtë. Ata nuk luajnë për bonuse, luajnë për vendin e tyre. Për të shkruar historinë. Shumë prej tyre janë bërë të famshëm pasi kanë mundur Argjentinën”, tha ai.