Presidenti i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier dhe delegacioni që e shoqëron ka pasur Beratin si qëndresën kryesore dy ditore në Shqipëri, një ndër qytetet më të bukura në Shqipëri, mbrojtur nga UNESCO, cilësuar si qyteti i një mbi një dritareve.
Vizita e filluar që në orën 10.30 të mëngjesit ka pasur suprizat e veta, ku presidentit, për të ndjekur traditën i është dashur të heqë këpucët teksa ka hyrë në Xhaminë Mbret, në qytet, një ndër xhamitë më të bukura, e shpallur monument kulture që në vitin 1948 dhe që i ka mbijetuar edhe regjimit të Hoxhës.
Shoqëruar nga kryebashkiaku Ervin Demo dhe nga imami i xhamisë, presidenti gjerman është njohur me historinë e kësaj xhamie. Por në vizitën pesë orëshe në atë qytet presidenti gjerman dhe delegacioni që e shoqëronte kaluan kohë në zonën mesjetare, në teqe, muzeun Onufri, Kishën “Shën Mëri Vllaherna”e pjesën më të madhe të vendeve historike të qytetit.
Një ndër pjesët më të bukura të vizitës dhe udhëtimit të presidentit gjerman ka qenë vizita në Kalanë e Beratit ku pamja mahnitëse nga kulla kryesore e saj, ku shquhen më së miri dy lagjet kryesore të Beratit, lagja Mangalem dhe lagja Goricë kanë tërhequr vëmendjen e kreut të shtetit gjerman.
Ai ka kaluar në rrugicat e kalldrëmta të Kalasë, u njoh me historinë e saj, dhe në vizitën prej dy orësh në këmbë në kala është përshëndetur me qytetarët që kishin dalë të kuriozuar nëpër rrugica. I mrekulluar nga kalaja, historia e saj, shtrirja e saj e madhe dhe si një ndër kalatë e vetme në Shqipëri, e banuar me një lagje të vetën, presidenti gjerman dhe delegacioni që e shoqëronte nuk e kanë fshehur interesin për këtë mrekulli vendosur në zemër të Shqipërisë.
“Nuk mund ta imagjinoja një mbyllje më të mirë të udhëtimit tim në Ballkanin Perëndimor se të vizitoja qytetin e mrekullueshëm të Beratit. Falemnderit për ushqimin e mrekullueshëm dhe mikpritjen tuaj fantastike” shkruan në librin e përshtypjeve në Castle Park, presidenti gjerman.