Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin e forcave të policisë mëngjesin e sotëm, në vilën e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se “bossi” i lotove po kërkohet i gjallë dhe se operacioni për gjetjen e tij ka nisur që në Vlorë. Sipas tij, policia ka patur dyshime se ai mund të rikthehej në shtëpi për festën e Krishtlindjeve dhe kjo ka qenë arsyeja pse kanë zbarkuar sot në Fushë-Kuqe.
“Po kërkohet për të gjallë. Nuk ka filluar aksioni në Fushë Kuqe por fillimisht në Vlorë. Ka pasur informacion që mund të jetë vendndodhja e mundshëm e Vis Martinajt. Sot janë zhvendosur në Fushë Kuqe. Sot jemi në ditë festash krishtlindjesh. Dhe mundet që personazhe të tilla të bashkohen me familjen. Ka infrastrukturë për t’u vendosur dhe ikur në vende përreth mbi dhe nën tokë. Zona është e monitoruar me kamera me sensor me gjithçka është e ruajtur. Nuk dihet se RENEA ka pasur informacione për këtë teknologji”, tha ai.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm forca të shumta të FNSH-së dhe RENEA-s zbarkuan në Fushë-Kuqe, Kurbin, ku kontrolluan vilën e Martinajt por edhe familjarëve dhe të afërmve të tij.