Nga:Artur Ajazi
Kanë marrë peng lumturinë e shqiptarëve prej 32 vitesh. Kanë marrë peng begatinë dhe të ardhmen e tyre, dhe sërish po i mbajmë në kurriz, duke ndjerë ankthin e protestave të një bajraktari, që nuk ngopet me grada, pushtet, para dhe zaptime bulevardi. Dikur ish-kryeprokurores i tha “lavire bulevardi”, pasi nuk pranonte të dorëzonte para drejtësisë gardistët vrasës. Sot, mbush bulevardin me mitingashë, që kujtojnë se “nesër në pushtet do ti bëjë zengjinër dhe drejtorë”. Ai dhe ata që mban rreth e qark zyrës tij, janë pengmarrësit e Shqipërisë. Nuk u qesh buza nënave, grave, djemve dhe vajzave, që sapo e shohin tek thërret “tek sheshi, të rrëzojmë Ramën”, mëndja u shkon tek mënxyrat e vjetra.
U shkon mëndja tek kallashnikovi që kërciste në 1997, mëndja u shkon tek turmat e papërmbajtura që sulmuan dikur, dhe sulmojnë kryeministrinë me bojë, molotovë, dhe leva hekuri. Në një seli partie, që mblidhen një grusht burrash të pasur, dhe bëjnë plane dhe skenarë se “si të pengojmë investimet, zhvillimin, se si të njollosim punën e qeverisë, policisë, ushtrisë, se si të hedhim në Lanë një kryeministër të ligjshëm”, mendo çfarë mund ti ndodhë këtij vendi dhe këtij populli, në rast se ata vijnë në pushtet. Sali Berisha, ka hyrë në spiralen e tij pa kthim. Ai kërkon ta mbajë peng Parlamentin dhe do ta mbajë sa të jetë deputet, ai kërkon ta mbajë peng rendin dhe qetësinë sociale, dhe do ta bëjë derisa të jetë kryetar de facto i asaj partie, ai kërkon të pengojë dhe nxijë imaxhin pozitiv të vendit para ndërkombëtarëve në shqip dhe anglisht, dhe do ta bëjë, derisa të ketë para, për të mbajtur të karikuar “analistët dhe progresistët e tij”.
Në 6 Dhjetor, shqiptarët do të jenë dëshmitarë të një tjetër skenari ogurzi, edhe pse Berisha e ka propoganduar se “do të ketë protestë paqësore”. Ai nuk mund ta pranojë kurrë faktin se, Edi Rama po mbledh në Tiranë krerët e Bashkimit Europianë, ashtu siç nuk mund ta pranojë si realitet të pakthyeshëm, braktisjen që i kanë bërë Partisë Demokratike dhe atij si person, SHBA dhe Kancelaritë Europiane. Mungesa e largpamësisë politike, e ka kthyer Berishën në persekutor kronik të gjithçkaje të bukur që sheh dhe dëgjon për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ai ndërhyn kudo, në politikën e jashtme, në politikat e brëndshme, ai ndërhyn në projektet dhe investimeve strategjike të vendit që kryen qeveria dhe investitorët e huaj, ai mundohet të marrë peng të ardhmen e vendit, dhe deri ditën kur drejtësia të ketë vepruar, ai do t’ja arrijë synimit të tij. Ai dhe ata që e mbështesin, janë pengmarrësit, dhe jo opozita e këtij vendi, derisa nuk duan bashkëpunimin,derisa refuzojnë dialogun dhe tolerancën, derisa nuk zbatojnë ligjet e vendit, dhe të drejtat zakonore të shqiptarëve.