Armando Broja ka mbyllur sezonin me Chelsea-n për shkak të një dëmtimi në ligamentin e gjurit të djathtë. Ylli shqiptar i sulmit ka reaguar në kanalet e komunikimit, duke thënë se po kalon vitin më të vështirë në jetë. Broja shton se nuk është perfekt si njeri dhe si futbollist, duke premtuar se do kthehet më i fortë nga dëmtimi i rëndë që po kalon.
“Ndoshta ky ka qenë viti më i vështirë i jetës sime deri më sot. E bukura e kësaj bote është se gjithmonë ka shanse dhe mundësi që ju presin në të ardhmen. Nuk jam aspak perfekt, si person apo lojtar, por përpiqem të tregoj më të mirën nga vetja çdo ditë për njerëzit që më interesojnë më shumë, por edhe për njerëzit që më shikojnë dhe presin më shumë nga unë. Kam gëzim dhe lumturi në fushën e futbollit dhe jam me shumë fat dhe mirënjohës që mund ta ndaj çdo ditë me ju djema. Kjo padyshim, që më lëndon shumë, fakti që nuk mund të bëj punën ose sportin që më pëlqen për një periudhë të gjatë kohore, është gjithmonë e vështirë për ta pranuar, por me njerëz të mirë rreth meje dhe ata pak njerëz që e bënë këtë vit më të mirë për mua, do të kthehem 100%, jam i sigurt për këtë. Edhe një herë dua të them faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë tuaj, kjo më ndihmon gjithmonë në kohë si këto”, shkruan Broja.
21-vjeçari iu nënshtrua një operacioni në gju disa javë më parë, teksa pritet që të nisë fazën e rikuperimit. Vera e ardhshme do e shohë në fushë sulmuesin e Kombëtares.