Elon Musk ka ngritur shqetësimin mes ndjekësve të tij se po përballet me një rrezik “mjaft real” që dikush ta vrasë.
“Për sa kohë që nuk po i shkaktoni vërtet dëm dikujt tjetër, atëherë duhet të lejoheni të thoni atë që dëshironi”, tha Elon Musk gjatë bisedës së tij të fundit në Twitter Spaces.
Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, të shtunën pretendoi se rreziku që t’i ndodhë diçka e keqe apo edhe të vritet fjalë për fjalë është “mjaft i qënësishëm”. Në një bisedë me audio që zgjati prej rreth dy-orësh në Twitter Spaces, Musk deklaroi se kohët e fundit, ai “definitivisht” nuk do të bënte asnjë xhiro me makinë në ajër të pastër.
“Sinqerisht, rreziku që të më ndodhë diçka e keqe, apo edhe fjalë për fjalë të qëllohem (vritem), është mjaft domethënës,” tha ai, duke shtuar, “Nuk është aq e vështirë të vrasësh dikë nëse do, kështu që shpresojmë se nuk do ta bëjnë dhe fati buzëqesh me situatën, me mua, dhe kjo nuk ndodh… Ka padyshim një rrezik të madh atje,” shtoi ai.
Më tej, gjatë diskutimit, CEO i Tesla dhe SpaceX foli për rëndësinë e fjalës së lirë dhe planin e tij të ardhshëm për Twitter. Ai tha se “në fund të ditës, ne thjesht duam të kemi një të ardhme ku nuk jemi të shtypur. (ku) fjala jonë e lirë nuk është e shtypur dhe ne mund të themi atë që duam të themi pa frikë nga hakmarrja”.
“Përderisa në të vërtetë nuk po i shkaktoni dëm dikujt tjetër, atëherë duhet të lejoheni të thoni atë që dëshironi”, shtoi Musk.
Miliarderi i teknologjisë deklaroi gjithashtu se gjatë historisë, liria e fjalës ka qenë “shumë e pazakontë, jo e zakonshme. Kështu që ne duhet të luftojmë shumë për ta mbajtur atë sepse është një gjë kaq e rrallë dhe nuk është aspak diçka e paracaktuar”.
Diskutimi i zotit Musk në “Twitter Spaces” erdhi një ditë pasi gazetari Matt Taibbi – me drejtimin e Musk – publikoi komunikime të brendshme mes drejtuesve më të lartë të Twitter para se kompania të blihej nga CEO i Tesla-s, duke treguar se si platforma kishte pezulluar dhe censuruar përdoruesit që komentuan historinë e laptopit të Hunter Biden, djalit të Joe Biden.
Musk pretendoi se dosjet tregojnë se si Twitter “po vepronte si një krah” i Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në sistemin zgjedhor.
Ai gjithashtu tha se do të publikonte edhe më shumë dosje në të ardhmen e afërt dhe tha se, “Ne thjesht do të vendosim të gjithë informacionin para jush dhe do të përpiqemi të nisim në një faqe të pastër, do të jemi vazhdimisht më të mirë dhe do të detyrojmë kompanitë e tjera të medias që gjithashtu të jenë më shumë në krah të së vërtetës ose përndryshe do të humbasin ndjekësit dhe lexuesit e tyre”.