Nga Ylli Pata/

Opozita parlamentare, pra bëhet fjalë Enkelejd Alibeaj, ka një mundësi unike sot në situatën politike aktuale. Të imponojë një reformë zgjedhore, që të sjellë një fuqi politike të shtuar, por edhe besueshmëri për kryetarët e rinj të bashkive në vend.
Më shumë sesa rindarja e bashkive, që mund të jetë edhe legjtime, rregullimi më i rëndësishëm që u kthen qytetarëve fuqinë e tyre elektorale është rikthimi i balotazhit, apo sistemit francez. Është një sistem që e kanë edhe vende që sot përdorin proporcionalin në zgjedhjet e përgjitshme, si për shembull Kosova, Greqia, apo edhe vende të tjera. Me reformën zgjedhore të vitit 2000, u rrëzua formula e vjetër me dy turne ku kryetar zgjidhet ai që fiton 50% plus 1 votë, e aktualisht mund të zgjidhet kandidati që merr një votë më shumë.

Balotazhi është një sistem që korrekton votën relative, duke dhënë mundësinë që në një raund të dytë, të reflektohet si nga ana sasiore ashtu edhe cilësore në lidhje me kandidatët në garë. Ka më shumë se një provë, se sistemi me dy turne është disa fish më i drejtë se aktuali. Në vitin 1996 në zgjedhjet e 20 tetorit në qytetin e Shkodrës u paraqiten tre kandidatë për kryetarë bashkie. Një nga PD, e cila ishte në kulmin e pushtetit, një nga PS, e frustruar nga duna e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit të atij viti, e një nga E Djathta e Bashkueme Shkodrane, një formacion politik i krijuar nga partitë e vjetra nacionaliste si Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

Dhuna e zgjedhjeve parlamentare bëri që në raundin e parë të zgjedhjeve vendore në Shkodër, të paraqiten një numër i vogël votuesish. Abstenimi ishte mbreti i zgjedhjeve të 20 tetorit në Shkodër. Në fund, kandidati zyrtar i PD-së nuk arriti të fitojë në raundin e parë, edhe pse u rendit në krye. Kështu që si doli në balotazh me kandidatin e DBSH-së, Bahri Boriçi. Në raundin e parë kishte një numër të vogël votuesish si nga elektorati i majtë, por edhe nga ai i djathtë që nuk e kelqente PD-në. Dy javë më vonë, pati një dyndje në kutitë e votimit të qytetarëve, pasi panë realisht mundësinë e një ndryshimi. Gjë që ndodhi.

Kurse sistemi aktual me fitoren relative, krijon të gjitha gjasat që kandidatët të kapin atë që quhet maksimumi i faktorëve rilevantë në territory. Gara kthehet në luftë, e në fund nuk kemi një rezultat që afrohet tek vullneti i shumicës së votuesve. Ky lloj sistemi përdoret kryesisht në demokraci me provë të gjatë pjekurie si ato anglosaksone, ndërkohë që në shumicën e Europës përdoret balotazhi. Shqipëria e ka nisur dhe krijoi një traditë të mirë. Pasi partitë nuk vinin tek një kandidat që e pëlqen baza e militantëve të thekur, por pjesa e moderuar e elektoratit. E kjo ka frenuar shumë partitë që të ofrojnë “skifterë”. Pasi balotazhi imponon gjithmonë drejt qendrës. Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt, ka mundësinë që tani të imponojë një ndryshim të tillë, natyrisht duke kërkuar edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve nëpërmjet OSBE-së. Balotazhi, nuk lejon që të kryhen “dirty game” si ajo e 6 marsit, që natyrisht nuk mund të përsëritet. Por kjo jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë bashkitë, ku në një sistem me dy raunde, ka më shumë mundësi për tu afruar tek vullneti i qytetarëve që votojnë dy herë.