Britania e Madhe, si pjesë e masave të saj globale kundër korrupsionit, vendosi sanksione për Zvonko Veselinoviçin, Milan Radoiçiçin dhe Slobodan Teshiçin.
Milan Radojçiç, një biznesmen nga industria e ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, thuhet se “ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’u dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit”.
“Zvonko Veselinoviç, biznesmen në industrinë e ndërtimit në Kosovë, shfrytëzon kontratat publike për të përvetësuar fondet shtetërore”, thuhet në shpjegim, raporton REL.
“Slobodan Teshiç, një tregtar i njohur armësh nga Serbia, akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të shtetit të një vendi tjetër”, thuhet në shpjegim.
Kjo valë sanksionesh, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, është një kontribut për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Në paketën e sanksioneve janë individë dhe subjekte të përfshira në një gamë të gjerë aktivitetesh serioze – duke përfshirë torturimin e të burgosurve, mobilizimin e trupave për përdhunimin e civilëve dhe mizoritë sistematike.
“Këto sanksione tregojnë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të drejtat e njeriut të të gjithëve, kudo”, tha Qeveria britanike.