Dy ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri, Yuri Kim dhe Alistair King-Smith, u bënë sot sërish objekt sulmi nga Sali Berisha, për të justifikuar shpalljen e tij “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, para zgjedhjeve.
Ndryshe nga herët e tjera, pas më shumë se një viti e gjysmë i shpallur “non grata nga SHBA dhe rreth 8 muaj nga Britania e Madhe, Berishës i kanë skaduar “argumentat”e përdorura, fillimisht për të gënjyer demokratët.
E para dhe më e famshmja e tij ishte “hedhja” në gjyq e sekretarit Blinken në Francë. Për muaj të tërë, ndërsa mbante “Foltoret” e tij, ai lajmëronte duke prodhuar lajme se “letra u nis”, “letra mbërriti”, “letra u hap”, “letra u mbyll”, “letra u fut në dosje”, “dosja u fut në sirtar”, “sirtari do hapet nga gjykatësi” etj. Madje kishte intelektualë të PD që e quanin këtë një gjetje gjeniale.
Tani pas një viti e gjysmë, të gjithë “demokratët zemërthyer” e kuptojnë se Doktori i gënjeu, se i duheshin për luftë kundër SHBA.
Më pas gjeti një armik më të dobishëm, siç ishte Lulzim Basha, dhe e kaloi gjithë mllefin e SHBA tek ai, duke e shpallur atë agjent të SHBA dhe Edi Ramës, të cilët të dy së bashku kishin shpifur për Berishën në Uashington.
Kur i ra bomba e dytë e Britanisë së Madhe, e cila dhe ja ka dokumentuar shoqëritë e tij me kriminelë në kërkim në Londër, që i përdor për dhunë politike për të marrë PD me forcë, apo lidhjet e tij dhe vajzës së tij me serbo- boshanjakun Damir Fazlliç, u përpoq t’ia hidhte fajin ambasadorit britanik në Tiranë, Alistair King-Smith, i cili kishte vetëm disa muaj që kishte ardhur në Tiranë kur ky u shpall “non grata”.
Pasi të gjithë këto nuk i pinë ujë, tani ka hyrë në një fazë të re, duke i shantazhuar dy ambasadorët, si të blerë me “valixhe me miliona euro” nga qeveria e korruptuar e Tiranës, për të cilat ka fakte që do t’i bëjë të ditura në një kohë tjetër.
Mjafton kjo fyerje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, që ky njeri të jetë dhjetë breza pas në listën e tyre të zezë. Ti thuash SHBA dhe Britanisë që ambasadorët e tu i blen qeveria e një vendi si Shqipëria, është t’i poshtërosh ato si shtete bastarde, të korruptuara dhe të padinjitetshme.
Unë e kuptoj që dy ambasadorët kanë një kod etik dhe një kornizë diplomatike që nuk i lejon shteti i tyre të replikojnë me persona “non grata”, të dizajnuar si të korruptuar dhe minues të demokracisë.
Por shteti shqiptar e ka për detyrë të ruajë dinjitetin tij kur dëgjon publikisht se “qeveria e koruptuar blen ambasadorë me valixhe me miliona euro”. Deklaratën e kanë me zë dhe figurë nga Sali Berisha. Mund të nisin menjëherë hetim për këtë “skandal” dhe të thërrasin Sali Berishën, t’i bastisin zyrën dhe shtëpinë, të gjejnë ku i ka faktet dhe të burgosin Edi Ramën dhe gjithë sërën e tij që ka korruptuar këta ambasadorë me miliona euro. Ose në mungesë të fakteve, Sali Berishën.
Kjo është e vetmja mënyrë që të ruhet dinjiteti i shtetit shqiptar, ose t’i shkojë aty ku ka vendin një fundërrinë anti-perëndimore në Tiranë. Çfarë faktesh pret Prokuroria që të thërrasë Sali Berishën, ose si denoncues, ose si shantazhues ndaj diplomatëve perëndimorë në Tiranë? Ai thotë kam fakte, madje deri dhe për skandale seksuale të tyre. Ta thërrasë, ta bastisë, t’i sekuestrojë çdo kompjuter dhe telefon dhe të nxjerrë faktet, ose ta fusë aty ku e ka vendin.
Dinjiteti i shteteve të mëdha mike të Shqipërisë, nuk mund të nëpërkëmbet në Tiranë nga një person i dizajnuar si hajdut familjarisht, si minues i demokracisë dhe shantazhues i drejtësisë. Ja ku po e shantazhon drejtësinë publikisht. Dhe nëse nuk kanë fakte të vjetra, kanë deklaratën e sotme. Thjesht duhet t’i shkojnë më 12 të natës në shtëpi dhe zyrë dhe t’i marrin gjithçka, bashkë me të, dhe të zbulojnë të vërtetën e shantazhimit të tij, e cila i duhet sa të kalojë hallin e radhës që ka me mungesën e kontrollit mbi PD.
I duhet që t’i mashtrojë sërisht demokratët sa të eliminojë celulën anti-Berishë në opozitë, që mbron në fakt dinjitetin e Perëndimit, jo vetëm në PD, por dhe në Shqipëri. Dhe drejtësia jonë fatkeqësisht po bëhet palë me Sali Berishën, me mosveprimin e saj. Njësoj si policia që e këshillon që duhet të respektojmë miqtë evropianë. A thua se nuk e di Sali Berisha kush janë ata që po vijnë dhe duhet t’ia tregojë policia, që i lutet t’i tregojë se ku do ta bëjë rrëmujën. Akoma më qesharakë se këta të drejtësisë.