Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni do të miratojë dërgimin e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, duke rënë dakord përfundimisht me kërkesat e shumta nga zyrtarët ukrainas për armë më të fuqishme për të rrëzuar raketat ruse.

Miratimi zyrtar ka të ngjarë të vijë më vonë këtë javë dhe mund të shpallet që të enjten, thanë tre zyrtarë, të cilët folën me Associated Press në mënyrë anonime sepse vendimi nuk është përfundimtar dhe nuk është bërë publik.

Dy zyrtarë thanë se Patriot do të vinte nga stoqet e Pentagonit dhe do të zhvendosej nga një vend tjetër jashtë shtetit, shkruan Al Jazeera.

Sistemi i mbrojtjes Patriot do të ishte sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi i ka ofruar Ukrainës për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse.