Shtëpia e Bardhë ndriçon nga atmosfera e festave, një traditë e përvitshme që synon të përçojë hare dhe t’u rikujtojë amerikanëve rëndësinë e festave të fundvitit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, tema e këtij viti është “Ne Populli”, një referencë ndaj forcës më të madhe të Amerikës: popullit amerikan.
Krishtlindjet në Shtëpinë e Bardhë janë gjithmonë vezulluese, por dekori sezonal ka edhe një kuptim më të thellë, siç tregohet nga tematika e këtij viti: Ne Populli.
Këto janë tre fjalët e para të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që çdo president amerikan betohet t’i zbatojë.
Këto fjalë të thjeshta përmbledhin një ideal amerikan: Se qeveria më e pasur dhe më e fuqishme në botë e merr forcën e saj jo nga udhëheqësit, por nga qytetarët.
“Thelbi i kombit tonë është dhe ka qenë gjithmonë ‘Ne Populli’. Dhe kjo është ajo që ka frymëzuar dekorimet e festave të Shtëpisë së Bardhë të këtij viti. Vlerat që na bashkojnë mund të gjenden përreth jush; besimi tek mundësitë, optimizmi dhe uniteti. Në çdo dhomë, ne reflektojmë atë që na bashkon gjatë festave dhe gjatë gjithë vitit”, tha Zonja e Parë Jill Biden.
Kjo është e jashtëzakonshme, për një komb me 330 milionë banorë, 50 shtete, me rreth 400 gjuhë të folura dhe me të gjitha fetë kryesore të botës.
“Mirë se erdhët në Shtëpinë e Bardhë dhe Gëzuar Bajramin!”, mirëpriste njerëzit Presidenti Biden.
“Gëzuar Divalin, të gjithëve!”, uronte Nënpresidentja Kamala Harris.
“Gëzuar Krishtlindjet dhe Gëzuar Festat. Zoti ju bekoftë!”, uroi zonja Biden.
Shtëpia e Bardhë është përfshirë nga muzika festive dhe ndër dekorimet gjenden kopje të kafshëve shtëpiake që jetojnë aty, si dhe një maket i godinës së Shtëpisë së Bardhë, i krijuar me 140 kg sheqer.
Edhe dritat kësaj radhe janë të shumta. Sipas Shtëpisë së Bardhë, janë 83,615 drita, si dhe 77 pemë të Krishtlindjes.
A do t’i pëlqejë kjo të gjithëve? Sigurisht që jo. Dhe ata e shprehin lirisht mendimin e tyre në mediat sociale.
Kjo ndoshta vë në dukje fuqinë më të madhe të popullit amerikan: jo vetëm që çdokush mund të thotë lirisht atë që mendon – por çdo katër vjet, ata mund të vendosin se kush do të jetojë në Shtëpinë e Bardhë dhe se kush do ta dekorojë atë.