Cristiano Ronaldo mbetet emri më i lakuar në media. Këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë bujë të madhe në fushën e lojës ose seancat stërvitore, por shumë larg tyre.
Sipas asaj që raportojnë mediat botërore, portugezi ka nisur ofensivën për të marrë 19.9 milionë Eurot e prapambetura nga Juventusi. Klubi Italian besohet se i detyrohet rreth 20 milion Euro ish-lojtarit të tyre dhe si një sulmues në fushë ka nisur të sulmojë edhe jashtë saj.
Siç raporton gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport”, ai i ka kërkuar një avokati të besueshëm procedimin penal kundër klubit bardhezi në lidhje me manovrën e pagave, pra procesin e ndërmarrë nga klubi bardhezi mes sezonit 2020-2021.
Gjatë pandemisë së Covid-19, klubi nënshkroi marrëveshje me futbollistët që të shtynin pagesat për disa muaj, për të përballuar krizën ekonomike dhe portugezi do përfitojë edhe tani që është larguar nga Juventusi.
Klubi italian është duke u hetuar pasi dyshohet se në fshehtësi bëri marrëveshje me futbollistët për t’i paguar gjatë asaj faze, pavarësisht se zyrtarisht ishte njoftuar se ata kanë hequr dorë nga një pjesë e pagës si shenjë ndihme për klubin.
Për këtë shkak shumë zyrtarë të lartë të klubit Italian dhanë dorëheqjen, mes të cilëve edhe presidenti i torinezëve, Andrea Agnelli.