Ngjarja e rëndë e ndodhur 5 vite më parë dhe e zbardhur vetëm pak ditë më parë, ka nxjerrë në pah jo vetëm një akt monstruoz, por madje edhe ka ngritur një mori pikëpyetjesh në lidhje me punën e Policisë dhe të Prokurorisë.

Vrasja brutale e Menduh Kurtdedës në Shupal të Tiranës dëshmoi se asnjë institucion në vendin tonë nuk ka funksionuar atyre kohëve, kur një trup u gjend i shkrumbuar dhe i lidhur në një pemë në zonën e thellë të Tiranës. Ngaqë askush nuk e identifikoi si njeri të vetin viktimën, ngjarja u harrua, ndonëse hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore ishin përballur me një akt të rëndë dhe të njohur; pra, viktima ishte dhunuar barbarisht dhe më pas i ishte vënë flaka. Pas 5 vitesh, arrestimi i bashkëpunëtorit në krim dhe i bashkëpunëtores së viktimës në drejtimin e një fondacioni ka bërë të mundur hedhjen dritë mbi fakte dhe akte prej killerash të kryera me një person, që sipas dëshmitarit-autor, momentin e dhunimit dhe të djegies ai ka qenë nën efektet e alkoolit.

Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë, të cilat kanë depozituar dhe më pas edhe publikuar dëshminë e Gazmir Ngotës, banor në Allias, bëhet me dije se gjithçka është mirëmenduar dhe më pas ekzekutuar nga ana e nënë e bir, përkatësisht sipas tij, Marjeta dhe Besmir Karaj. Ngota, që si duket nuk ka mundur ta mbajë më peshën e atij krimi të rëndë, ka treguar jo vetëm detajet e rrëmbimit, dhunimit dhe më pas djegies së Kurtdedës, por edhe emra personash që kanë qenë në dijeni, vende ku qëndronin bashkë me Besmir Karajn dhe disa shokë të tjerë, si shpërndanin e konsumonin lëndë narkotike. Ende nuk dihet nëse Prokuroria dhe Policia kanë ndërhyrë për të verifikuar dëshminë e Ngotës, kur bëhet fjalë për ambiente që në fakt njiheshin aso kohe në të gjithë zonën, për të cilat ai ka folur si baza ku qëndronin shokët bashkë me djem të tjerë.

RRËFIMI HORROR I NGOTËS

“Unë jam kthyer nga Italia në Shqipëri në muajin shkurt 2017. Në Itali kam punë të ndryshme krahu dhe pas u ktheva në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve shoqërore, çunat që rrija në lagjen Allias, Tiranë jam njohur me shtetasin Besmir Karaj. Ndër çunat që rrinin me mua dhe Besmirin kanë qenë F.T. me orgjinë nga Kukësi, M.Sh. me origjinë nga Shkodra, E.D. me origjinë nga Elbasani dhe shumë të tjerë, emrat e të cilave nuk më kujtohen. Të gjithë personat e sipërcituar ishin përdorues të lëndëve narkotike dhe kryesisht mblidheshim te bar kafe ‘Kënaqësia’, në Allias në pronësi të B.M. Gjatë darkave, takoheshim në lagje dhe shpeshherë frekuentonim dhe lokalin tjetër në pronësi të ‘Çufes’, që ndodhet përballe bar kafe ‘Kënaqësia’, afër karburantit, në Allias.

…Pas pak çastesh aty ka ardhur Marjeta, e cila e acaruar i bërtiste Mendus, duke i thënë prej teje më vdiq vëllai, duhet të më kthesh menjëherë lekët, nga ku unë kuptova që Mendui i kishte lekë borxhe Marjetës.

Menduja i thoshte nuk kam asnjë lekë borxhe dhe vetëm qeshte dhe kjo sjellje e tij ka acaruar Marjetën dhe Besmirin i cili ka filloi që ta qëllojë Mendun, me grushte e shkelmë, ku si pasojë ky i fundit është rrëzuar në tokë dhe nuk po ngrihej me pasi ishte moshë e thyer. Besmiri dhe Marjeta u larguan disa metra me tutje, dhe për disa çaste biseduan vetëm për vetëm me njëri-tjetrin. Pasi unë jam afruar pranë tyre, Besmiri më tha shprehimisht ‘sa burg rrezikojmë o gaz’. Unë i thashë, nuk e di, shume kemi për të rrezikuar nëse i ndodh diçka e keqe.

Në vijim, Besmiri pyeti Marjetën “çfarë të bëjmë” dhe ajo i tha shprehimisht “hiqeni qafe”, sepse nuk i bie njeriu mendja por këtë”. Pas këtij momenti, Marjeta u largua në këmbë në drejtim të banesës së saj, ndërsa Besmiri dhe unë ngritëm për krahësh Mendun dhe e futëm atë në sediljen e pasme të mjetit tip ‘Ford Focus’ me ngjyrë jeshile, targat e të cilit nuk i mbaj mend. Pasi vazhduam lëvizjen, Besmiri më tha do ta çojmë mbrapa Dajtit qenin, ndërsa unë s’është se bëra ndonjë reagim, pasi mendova se Besmiri thjesht po i bënte presion Mendus. Ky i fundit, megjithëse ishte koshient, nuk bënte asnjë reagim. Te karburant ‘Gega Oil’, në vendin e quajtur ‘Kafja e Rremës’, Besmiri ndaloi mjetin më tha ‘zbrit merr benzinë’ dhe më dha në dorë dy bidonë të vegjël 0.5 litër që mbante në makinë. Besmiri më dha lekët që bleva benzinë dhe vazhduam rrugën ne drejtim të Shkallës së Tujanit, deri sa arritëm në Kodër Shupal. Aty Besmiri e lidhi për një pemë dhe më pas e spërkati me benzinë duke i vënë flakën me një çakmak”.