Triumfi në Botërorin e Katarit mbushi Lionel Messin me lumturi, duke plotësuar një cikël mbrësëlënës të karrierës së tij. Por ka ankth te shumë tifozë, të cilët kanë frikë se finalja e e luajtur kundër Francës ishte ndeshja e fundit në një Botëror.
Kapiteni e paralajmëroi para ndeshjes vendimtare, duke pohuar: “Finalja ndaj Francës është ndeshja ime e fundit në një Kupë Bote” – u shpreh Messi. Megjithatë, sapo ngriti kupën e bëri të qartë se për momentin do të vazhdojë me Argjentinën: “Më pëlqen të jem në kombëtare, në grup, dua të vazhdoj të përjetoj edhe disa ndeshje si kampion bote”.
Trajneri Lionel Scaloni beson se mund ta bindë Messin të luajë një tjetër Kupë Bote. “Messi duhet të ketë një vend në Botërorin e ardhshëm, ne duam që ai të vazhdojë. Le të shpresojmë që nuk ishte Botërori i tij i fundit”, deklaroi Scaloni.
Po çfarë bluan Messi në mendjen e tij? Mediat prestigjoze bëjnë me dije se ai së pari do të shohë sa është në gjendje të vijojë në nivele të larta. E dyta, varet shumë nga 2024, kur Messi pritet të luajë në Copa America dhe një tjeër triumf, mund t’i jepte atij dëshirë të ishte edhe në Botërorin 2026, në moshën 39 vjeçare. Pak e vështirë të mendosh çfarë mund të ndodhë deri atëherë, por tifozët shpresojnë që ai mos ndalet.