Ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se në datën 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës.
Kushi tha se nuk do të ketë ditë pushimi, për shkak të mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në kryeqytet. Sipas saj, zhvillimi i Samitit është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por nuk ka arsye për të ndaluar procesin mësimor, madje fton prindërit dhe mësuesit që të ndajnë opinionet me nxënësit për rrugëtimin evropian.
“E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës. Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Evropian.
Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë. Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë!”, shkruan Kushi në Facebook.