10 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit në një qytet afër Lionit. Fatkeqësisht mes tyre janë edhe 5 fëmijë dhe 10 persona të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta përfshire këtu edhe dy zjarrfikës. Zjarri shpërtheu në orën 03:00 të mëngjesit të së premtes, në një ndërtesë shtatëkatëshe në Vaulex- Velin, pranë Lionit. Për shuarjen e flakëve janë mobilizuar 170 zjarrfikës. Gjendja tani është nën kontroll.

Në një përditësim të situatës në orën 6:30 të mëngjesit, prefekti i rajonit Auvergne-Rhône-Alpes shpjegon se në këtë kohë, origjina e fatkeqësisë mbetet e panjohur.

“Zjarrfikësit kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje pas thirrjeve të shumta. Për shuarjen e flakëve janë mobilizuar 170 zjarrfikës të shoqëruar nga 65 makineri. Tashmë zjarri është shuar dhe është vendosur një perimetër sigurie nga policia kombëtare”, sqaron BFMTV

Banorët e zonës ka thënë se shpërthimi i zjarrit i zgjoi nga gjumi dhe se dëgjuan britma dhe ulërima fëmijësh.

“Dëgjuam britma, ulërima të fëmijëve. Kur hapëm dritaret, pamë tymin që dilte nga pallati, zbritëm menjëherë poshtë”, ka thënë një fqinj, sipas mediave të huaja.

Ndërkohë mësohet se katër persona janë nxjerrë të gjallë nga pallati shumëkatësh.

Nuk dihet ende shkaku i zjarrit. Sakaq mediet lokale bëjnë me dije se zjarri shpërtheu fillimisht në katin e parë, e më pas u përhap me shpejtësi në katet e tjera të pallatit.