Një 37-vjeçar shqiptar është ekstraduar dje nga Spanja drejt vendit tonë, pasi ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje ndaj biznesmenit Dashamir Gjoka në zonën e Shijakut.

Bëhet fjalë për shtetasin Enkel Kërtalli i cili akuzohet se në vitin 2017 ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me drejtues biznesmenin Dashamir Gjoka, në bashkëpunim me shtetasin me inicialet M. B.

“Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët spanjollë, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi E. K., 37 vjeç”, njoftoi policia e Shtetit.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

NGJARJA
Ngjarja për të cilën akuzohet 37-vjeçari ndodhi më 23 gusht të vitit 2017 në zonën e Sallmones në Shijak, kur biznesmeni Dashamir Gjoka, u qëllua me breshëri plumbash ndërsa udhëtonte me një mjet të blinduar bashkë me fëmijët nga një makinë tjetër që iu doli paralel.

Në momentin që drejt mjetit të Gjokës është qëlluar me armë, ky i fundit nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë për t’u shpëtuar plumbave të agresorëve. Prej andej, mësohet se Gjoka nuk ka pritur që uniformat blu të mbërrinin në vendngjarje, por në kushtet e tronditjes ai së bashku me familjen i është drejtuar menjëherë komisariatit të policisë, ku ka denoncuar atentatin që ishte përgatitur ndaj tij. Burime pranë uniformave blu sqaruan se Gjoka ka deklaruar se u qëllua nga një automjet që ecte paralelisht me të, teksa ishte duke udhëtuar në drejtim të Shijakut.

Biznesmeni u ka treguar oficerëve të policisë se nuk ka arritur të dallonte armën e zjarrit me të cilën u qëllua apo se kush mund të ndodhej brenda në makinë, pasi sapo ka dëgjuar të shtënat, ka tentuar të shtojë shpejtësinë e mjetit për t’u larguar sa më parë që aty. Ndërkaq, me të marrë njoftimin, efektivët blu të cilët mbërritën në vendin ku ndodhi ngjarja nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe vënien në pranga të agresorëve. Por, për policinë, mësohet se pista kryesore e atentatit mbetet e kaluara e biznesmenit në Itali.

Dy ditë më vonë, u identifikua si autor të ngjarjes, vëllezërit Enkel dhe Morel Kërtalli, të cilët në momentin e ngjarjes ishin në një kafe në zonë dhe sapo kanë parë biznesmenin kanë marrë armët dhe i kanë ndjekur.

“Dy vëllezërit, më datë 23.08.2017, në vendin e quajtur ‘Komuna Xhafzotaj’, Shijak, dyshohet se duke lëvizur me një mjet tip ‘Benz’ kanë qëlluar me armë zjarri automatik automjetin tip ‘Benz’ të blinduar (po në lëvizje) që drejtohej nga shtetasi D. Gj. 46 vjeç, banues në Shijak. Nuk ka pasur persona të dëmtuar. Gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes u fiksuan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm”, sqaronte Policia në atë kohë.

Atentati ndaj biznemsnit Gjoka, dyshohet se erdhi si hakmarrje e dy të rinjve për vëllain e tyre, Elvin Kërtalli, që u ekzekutua mbrëmjen e 26 gushtit të vitit 2013 në qendër të qytetit të Shijakut.

Vëllezërit Kërtalli dyshonin se personi që e vrau vëllain e tyre është mbështetur nga Gjoka, në restorantin e tij. Gjithashtu ditën ku është ekzekutuar Elvin Kërtallit ka mbetur i plagosur dhe miku i tij Dorian Zotaj.

KUSH ËSHTË DASHAMIR GJOKA
Dashamir Gjoka është një emër i njohur për autoritetet, pasi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Trafikim i personave”. Në shtator të vitit 2015, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në sekuestro 11 mijë metra katrorë truall, ndërtime e biznese, si dhe 15 mijë metra katrorë tokë arë, pasi dyshohej se Gjoka i kishte krijuar nga aktivitet i paligjshëm jashtë vendit. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur rreth 200.000.000 lekë (të reja). Ndërsa, më 4 mars të këtij viti, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të Gjokës. Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali. Por, më 20 korrik 2017, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda hoqi sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit Dashamir Gjoka. Edhe pse i dyshuari është i lirë, pasi gjykata refuzoi ekstradimin e tij drejt Italisë, prokuroria dhe gjykata dyshojnë se pasuritë e tij janë krijuar me burime jo të ligjshme.