Mikel Arteta po shijon sezonin më të mirë si trajner. 40-vjeçari spanjoll po udhëheq Arsenalin drejt titullit kampion në Angli, trofe që mungon në klubin londinez prej vitit 2004.
Topçinjtë kryesojnë Premier League me 50 pikë të grumbulluara në fazën e parë, pesë më shumë se Manchester City, me skuadrën e Pep Guardiolës që ka luajtur një takim më shumë.
Arteta punoi si ndihmësi i Guardiolës te “Cityzens”, mes tyre ekziston një raport fantastik profesional dhe njerëzor, ndërkohë që tani po garojnë për fitimin e kampionatit më të fortë në planet.
“Gjithmonë kam shpresuar që një ditë të mund të luaj për tituj kundër Guardiolës, por kjo nuk do të ndryshojë absolutisht asgjë në miqësinë tonë”, u shpreh trajneri i Arsenalit.