Presidenti Joe Biden përgëzoi Kryeministrin Fumio Kishida për rritjen e shpenzimeve ushtarake të Japonisë dhe për ndryshimin rrënjësor të kapaciteteve të mbrojtjes. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, kërcënimi nga Kina, Koreja e Veriut dhe Rusia janë arsyet kryesore përse dy vendet aleate, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, vendosën të rrisin sigurinë kolektive.

Objektivi i Japonisë për të dyfishuar buxhetin e saj për mbrojtjen në nivelin pothuajse 2% të prodhimit të brendshëm deri në vitin 2027, si dhe për të ndryshuar krejtësisht strategjinë e saj në fushën e mbrojtjes, u përshëndet nga Presidenti Joe Biden gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin Fumio Kishida, ku rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Japonisë.

“Po modernizojmë aleancën tonë ushtarake, duke marrë shtysë nga rritja historike e shpenzimeve për mbrojtjen dhe strategjinë e re të sigurisë kombëtare të Japonisë”, tha Presidenti Biden.

Kjo përfshin riorganizimin e një njësie marinsash amerikanë të stacionuar në Okinaua, si dhe planet e Tokios për të blerë qindra raketa amerikane Tomahawk.

Zoti Kishida tha se përforcimi ushtarak i Japonisë do të përfshijë edhe kapacitete për të bërë kundërsulme, një ndryshim domethënës ky krahasuar me strategjinë e mëparshme të mbrojtjes.

“Japonia dhe Shtetet e Bashkuara po përballen aktualisht me mjedisin me sfidues dhe më kompleks të historisë moderne”, tha kryeministri japonez.

Thellimi i aleancës SHBA-Japoni, i njoftuar nga zyrtarë të lartë në Uashington të mërkurën, sinjalizon se dy vendet aleate po e marrin më seriozisht mundësinë e një lufte në rajonin Indo-Paqësor, në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit, apo të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut.

“Kombinimi i provokimeve kineze gjatë dy viteve të fundit, me sulmin e Rusisë në Ukrainë, i shtyu jo vetëm udhëheqësit e Japonisë, por edhe publikun japonez që ta mbështesë këtë. Dhe sepse nuk duan të gjenden në pozitat e Ukrainës në rast se fillon një luftë dhe të mos kenë mundësinë të mbrohen”, thotë Jeffrey Hornung, ekspert për sigurinë japoneze dhe politikën e jashtme.

Në frontin e sigurisë ekonomike, Presidenti Biden mbështet Kuadrin Ekonomik të Indo-Paqësorit. Pa ofruar qasje në treg, kjo marrëveshje e nënshkruar nga rreth dymbëdhjetë vende të rajonit Indo-Paqësor, shikohet si një çmim ngushëllimi për ngurrimin e Uashingtonit që t’i bashkohet marrëveshjeve rajonale për tregtinë e lirë. Japonia ka qenë një partnere jetike për zgjerimin e marrëveshjes, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

“Me partneritetin dhe udhëheqjen e Japonisë në negociata, mendojmë se do të arrihen angazhime të standartit të lartë që do të thellojnë përfshirjen tonë ekonomike në rajon”, tha zonja Jean-Pierre.

Presidenti Biden po e nxit gjithashtu Kryeministrin Kishida që të ndjekë shembullin e Uashingtonit për vendosjen e kontrolleve të eksporteve ndaj gjysmëpërçuesve dhe teknologjive të tjera të rëndësishme me qëllim uljen e ndikimit ekonomik të Kinës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha të premten se Pekini “do të ndjekë me vëmendje” dhe “do të mbrojë interesat e tij”./VOA