Shfaqen pengesat e para për Cristiano Ronaldon tek Al-Nassr. Agjencia e lajmeve AFP thekson se sulmuesi ende nuk ka të drejtë të luajë sepse, veç të tjerash, skuadra saudite ka shumë lojtarë të huaj nën kontratë.
Al-Nassr ka numrin maksimal të lejuar prej tetë lojtarësh të huaj nën kontratë dhe Ronaldo është i nënti. Prandaj, portugezi mund të luajë vetëm nëse Al-Nassr shet një prej tyre. Sipas mediave të ndryshme të Arabisë Saudite, mesfushori uzbek, Jalaluddin Masharipov, është ai që duhet t’i hapë rrugën pesë herë fituesit të Topit të Artë. Fat i keq për uzbekun, që nuk do të mund të luajë krah “yllit” portugez.
Duhet mbajtur mend se Ronaldo ka nënshkruar kontratë me Al-Nassr deri në verën e vitit 2025. Është raportuar gjerësisht se portugezi do të fitojë 200 milionë euro në sezon për dy vite e gjysmë. Kjo shumë mund të rritet ndjeshëm nëse Arabia Saudite fiton të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 2030 me mbështetjen e Ronaldos.