Për të prezantuar finalen e Superkupës të Italisë sot në mëngjes dolën në konferencë për shtyp Stefano Pioli dhe Simone Inzaghi.

Lojëra psikologjike – Trajneri i Milan-it edhe pse pranoi se skuadra që ai drejton nuk është në një moment të artë la të kuptohej se Interi nuk do ta kishte të lehtë të fitonte trofeun në Riad. “Kjo ndeshje është një derbi dhe ne duam ta fitojmë. E di fare mirë se në javët e fundit nuk kemi treguar anën tonë më të mirë, por jam i bindur se në ndeshje si kjo që do të luajmë nesër ka pak rëndësi ajo çfarë ndodh në kampionat”, komentoi Pioli. Mes pyetjeve që i bënë numri një i pankinës kuqezi tha se Interi nuk ishte një ekip perfekt. ”Të them të drejtën unë e di fare mirë se ku çalon Interi, por sigurisht që nuk do ta them këtu para jush. Ne e dimë se si mundet Interi dhe për këtë kemi bërë gati një plan”, vazhdoi 57-vjeçari.

Hakmarrje – Pas Piolit përpara gazetarëve doli edhe Simone Inzaghi. Trajneri i Interit shikon te Superkupa mundësinë për marrë revansh përballë kushurinjve kuqezi për humbjen në kampionat. “Kemi shumë dëshirë për të fituar derbin. Një vit më parë në Kupë e dominuam Milanin ndërsa në kampionat na mundën pa meritë. Tani jemi të motivuar që të fitojmë”, tha Inzgahi. “Ne duam që të rikonfirmohemi dhe të fitojmë për herën e dytë radhazi Superkupën. Skuadra është pak e lodhur, por ka treguar se në ndeshje të mëdha gjen motivimin e duhur”, komentoi 46-vjeçari.

Formacionet e mundshme:

MILAN (4-2-3-1): Tatarusanu; Calabria, Kalulu, Tomori, Theo Hernandez; Bennacer, Tonali; Saelemaekers, Brahim Diaz, Leao; Giroud

INTER (3-5-2): Onana; Skriniar, Acerbi, Bastoni; Darmian, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Dzeko, Lautaro Martinez