Man.City thyen Chelsea brenda në Londër duke rihapur garën për titull në Premier League. “Qytetarët” përfitojnë nga hapi falas i Arsenal duke ngushtuar diferencën në vetëm 5 pikë me “topçinjtë” kryesues.

Në “Stamford Bridge”, blutë e Potter e nisën ndeshjen më mirë me një rast të pastër nga Pulisic, ndërsa pak minuta më vonë City iu përgjigj me Haaland. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Chelsea kishte rastin më të pastër, por goditja e Chukwuemeka u përplas në shtyllë.

Në pjesën e dytë, në minutën e 63-të, Man.City gjeti golin e avantazhit me Mahrez që u shërbyer në mënyrë perfekte në zonë nga Grealisht. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me City që del me pikë të plota duke zhytur gjithnjë e më shumë në krizë Chelsea, për momentin ndodhen në vendin e 10-të.

“Padyshim, këto tre pikë ishin shumë të rëndësishme për ne. Lojtarët e dinin këtë, është e rëndësishme të qëndrojnë në nivele të larta pasi tani kemi dy sfida të tjera shumë të rëndësishme, shkojnë në ‘Old Traford’ ndërsa më pas presim Tottenham”, u shpreh Pep Guardiola pas ndeshjes. Graham Potter po kalon një moment shumë të vështirë në Londër, por trajneri i Chelsea foli me fjalë pozitive pavarësisht humbjes, duke theksuar se lojtarët e tij dhanë maksimumin, por nuk ishte e lehtë përballë një ekipi si Man.City, për më tepër kur humbën shërbimet e Sterling dhe Pulisic brenda 22 minutash.