Shefi i Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati ka reaguar për herë të pari pasi i vunë tritol në banesë. Ai ka mohuar një konflikt të mundshëm duke thënë se di se kush e ka bërë. “Nuk kam asnjë konflikt me askënd. Nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, ka thënë ai pas ngjarjes në orët e para të mëngjesit.

Nga shpërthimi ka pasur dëme të shumta materiale. Për mediat foli dhe babai i tij, Gjergj Shpati, i cili u shpreh se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së djalit. I ati tregoi gjithashtu se në banesën tre katshe jetojnë tre familje me 17 anëtarë dhe se të gjithë kanë qenë aty kur ndodhi shpërthimi.

“Ishim 17 vetë. tre familje deri në kat të tretë. Ishte i fuqishëm. Ka shkatërruar çfarë ka qenë. Ka dëme në dritare, dyer, fasada, makina. Nuk e di se pse ka ndodhur. Kam qenë në gjumë. Mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës sepse ne nuk kemi ngatërresa me askënd. Nuk i kam borxh kujt. Kërkojmë që shteti të bëjë punën”, tha i ati.

“Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.”, ka njoftuar policia.