Ambasada e Britanisë së Madhe ka dalë sërish me një mesazh për shqiptarët, të cilëve u kërkon që të mos emigrojnë në mënyrë ilegale.

Me anë të një postimi në Facebook, ambasada sjell në vëmendje bandat kriminale, të cilat rrezikojnë edhe familjet e emigrantëve nëse këta të fundit nuk u japin paratë që ata kërkojnë.

“Trafikantët mund të vënë në shënjestër familjen tënde nëse nuk marrin paratë që u detyrohesh. Mos rreziko. Duke punuar për mandate kriminale po vë në rrezik edhe familjen tendë”, shkruan ambasada britanike në Shqipëri.

Kujtojmë se që në fillim të vitit, ambasada doli me disa mesazhe sensibilizuese me qëllim frenimin e emigrantëve shqiptarë që shkojnë me gomone në Angli.

Ndërkohë qeveria e Rishi Sunak në bashkëpunim edhe me autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një plan masash për të mos lejuar emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit.