Nga Enver Robelli/
Mesazhi i Patriarkut serb për Krishtlindje është plot helm e plot gënjeshtra Në mesazhin e tij për Krishtlindje patriarku serb Porfirije Perić thotë, mes tjerash:
“Nga mesi i këtij viti komshinjtë shekullorë po vendosin ultimatume, po provokojnë, po ushtrojnë terror dhe pandërprerë po i kërcënojnë serbët e mbetur dhe të pambrojtur me përndjekje dhe zullum, krahas heshtjes së mjerë apo, siç po na duket, me përkrahjen e heshtur të disa vendeve të fuqishme”.
Kjo që thotë Porfirije është propagandë e qullët, gënjeshtra në shërbim të pushtetit aktual në Beograd, i cili ushqim të vetëm mendor e ka urrejtjen ndaj të tjerëve.
Me këtë mesazh Porfirije merr rolin e shërbëtorit të regjimit dhe jo shërbëtorit të së vërtetës.
Në mesazhin e tij bie në sy përdorimi i fjalëve orientale (“komšiluk”, “zulum”) si përpjekje për të aluduar se serbët në Kosovë gjoja vuajnë si në epokën osmane, ndonëse për ta nderuar të vërtetën duhet thënë se në disa faza serbët i kanë pasur marrëdhëniet edhe më të ngushta me osmanët se vetë shqiptarët.
Porfirije, i cili më 1985 ka marrë titullin pop (prift ortodoks) në Manastirin e Deçanit, duket se mentalisht ka mbetur në vitin 2010 kur u emërua peshkop për “koordinim” të raporteve mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Ushtrisë Serbe.
Në mesazhin e tij që vlon nga urrejtja, kreu i kishës serbe nuk e përmend pjesëmarrjen e kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri në kurorëzimin e tij si patriark në Patriarkanën e Pejës. Gjesti i kryetarit Muhaxheri ka qenë njerëzor, human, korrekt dhe largpamës. Porfirije nuk e përmend as pritjen korrekte nga qytetarët e Prizrenit gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.
Gjendja e pakicës serbe në Kosovë nuk është ideale. Ajo vuan nga varfëria, nga presionet e ndryshme që vijnë nga Beogradi, nga mbajtja gjallë e iluzioneve se në Hotelin Grand sërish do të defilojnë millovana e dragana me uniforma të policisë serbe.
Ato kohëra kanë perënduar përgjithmonë. Një dinjitar i përgjegjshëm fetar do të duhej të respektonte realitetin po aq sa fjalët e Biblës. Në karrierën e tij të deritanishme Porfirije ka dhënë disa shembuj të kultivimit të ekumenizimit. Por që nga zgjedhja e tij patriark ai nuk i ka rezistuar joshjes për mesazhe nacionaliste, siç ka qenë së fundi paralajmërimi i tij se “nuk jemi të sigurt se kufijtë nuk do të ndryshojnë në të ardhmen”.