Nga Jakin Marena/
Viti në të cilin sapo hymë nuk do të jetë vetëm vit zgjedhjesh, por dhe i goditjes së “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri. Me shpresën e Zotit themi se do të ndodhë kjo goditje.
Kemi gjithë të drejtën e Zotit që të jemi skeptikë në këtë drejtim. Pasi për tre vite me radhë institucioni më i lartë i hetimit në Shqipëri u ka ardhur ‘anash’ dosjeve të rënda të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri, duke ‘injektuar’ goxha mosbesim ndër shqiptarë e ndërkombëtarë.
E kemi fjalën për dosjet e rënda që kanë sipër tyre të shkruar emrin e politikanëve më të lartë në këtë vend, të cilët pasi ka qënë qeverisur për 32 vite me radhë, herë në pushtet por dhe që nga opozita, akuzohen se kanë kryer zullume të mëdha. Kanë zhdukur miliona si dhe kanë shkaktuar dhjetëra vdekje. Nga shteti këto fatkeqësi.
Për tre vite me radhë, lidershipi i SPAK deklaratat për goditjen e korrupsionit të lartë në Shqipëri e bënte në Tiranë, ama axhendën e kishte marrë nga “shokët e lagjes” në Gjirin e Lalzit, e gjumin e natës e bënte në vilën mbi 1 milionë euroshe që kishte dhe ka po në Lalëz.
Dhe të të bëjnë axhendën e hetimit pikërisht ata që janë vetë subjekti më madhor i hetimit nga SPAK, është jo vetëm kulmi i ironisë, por dhe fundi i shpresës për dhënien fund pandëshkuëshmërisë në Shqipëri. Të funksionimit të drejtësisë së re, siç e presin shqiptarët dhe mbi të gjitha partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët hodhën gjithçka për këtë drejtësi të re, madje vunë “fytyrën” e tyre në këtë drejtësi që vetëm ajo të funksionojë me kapacitet të plotë e ndryshe nga drejtësia e vjetër. Asgjë nuk ndodhi siç duhet. Të paktën nga ana e SPAK.
U dënua një ish ministër, ai i Brendshmi, por jo me akuzën e ‘trashëguar’ nga Krimet e Rënda që kishte dërguar SPAK dhe që e mbrojti fort në Gjykatën e Posaçme, ajo e më e rënda e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal. Ajo akuzë u rrëzua, dhe ishte e drejtë pasi ishte ngritur mbi thashetheme dhe e pa mbështetur në asnjë provë apo fakt real.
Dhe nga presioni i politikës apo i kujt zotit të themi, gjykata u detyrua të ‘shpikë’ vetëveten, dhe formuloi një akuzë tjetër, atë për shpërdorim detyre. Thjeshtë për ta dënuar e shpëtuar ‘fytyrën’ e drejtësisë së re nga dështimi që në start, anipse me “shpërdorim detyre’ mund të shkojnë në burg 2/3 e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve në Shqipëri. Është një akuzë thjeshtë me ‘hapje krahu’.
U dënua dhe një ish zv.ministre për një arkë peshk, thjeshtë dhe vetëm se ndoshta rrezikonte të garonte për ndonjë bashki bregdetare, dhe nuk i përshtatej axhendës së ‘shokëve të lagjes’ në Lalz, pasi mund të hapte letrat andej për akaparimin e tokës së “babës” që kanë marrë badihava për të bërë vila ‘dinozaurët’ e politikës shqiptare. Punë interesash politike me një fjalë.
Apo ndonjë ministër që ka zënë burgun thjeshtë dhe vetëm siç e thonë “gojët e liga” se nuk dërgoi pjesën e caktuar që në momentin e emërimit, për “shefin”, dhe ‘adhnoi’ familjen, e cila e bëri ‘theror’. Janë të lidhura gjërat, shqiptarët e “paditur’ i dinë të gjitha, këdo që të pyesësh, vetëm drejtësia bën sikur nuk sheh.
Gjithsesi kjo është një faqe e mbyllur, ndonëse vetë SPAK duhet të hetojë pasurinë e ish kreut të saj, se si e bleu vilën 1 milionë dollarëshe në Lalz, me… rrogë shteti. Se do të vijojë të jetë pjesë e institucionit më të lartë të hetimit ish kreu i antikorrupsionit gjatë qeverisjes së viteve 1999-2002, dhe plot vite të tjera dhe do të ketë ndonjë dosje të rëndë nëpër duar.
Ndaj themi që viti 2023 është një vit sfide për SPAK, i cili ka në krye tashmë një emër të panjollë, një emër që mbështetet nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe kryesisht SHBA por dhe nga shqiptarët. Por që këta të fundit janë skeptikë, pasi lufta ndaj korrupsionit deri më tani nuk u drejtua në qendër, tek “peshqit e mëdhenj’ por tek segmente anësore, dhe dosjet pa peshë.
Në këtë këndvështrim, shihet dhe vizita e sotme e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, në SPAK dhe takimet e zhvilluara në këtrë institucion të rëndësishëm hetimi në Shqipëri.
Janë bërë hapa pozitive duhet ta pranojmë, pasi ndryshe shpresa ndaj drejtësisë së re do të kishte vdekur. Fakti që shqiptarët e partnerët tanë ndërkombëtarë shpresojnë tek lidershipi i ri i SPAK, ia vlen të nënvizojnë faktin se ka akoma shumë pritshmëri nga institucioni më i lartë i hetimit në vend.
Nuk mund të themi se Yuri Kim ka shkuar në SPAK e është takuar me kreun e këtij institucioni Altin Dumani apo prokurorët e posaçëm, për t’i uruar për festat e fundvitit. Ata e kanë marrë urimin në përgjithësi pas mesazhit të ambasadës e ambasadores me këtë rast që kur ishin festat. Madje, siç ndodh gjithmonë me institucionet, edhe ndonjë kartolinë urimi nga ambasada e kanë marrë, si mesazh urimi për festat e fundvitit.
Yuri Kim, përtej hamendësimeve, vizitën në SPAK e ka përllogaritur në krye të herës si një mesazh mbështetjeje e fortë nga ana e qeverisë së SHBA për institucionin më të rëndësishëm të hetimit në Shqipëri. E ka pasur këtë mbështetetje, por rikonfirmohet sërish. Madje do ta ketë akoma më të shtuar me sa duket.
Ka pasur dhe ndonjë “kartolinë” me mesazhin e kahershëm dhe të përhershëm, për dhënien fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Ndoshta për t’ju kujtuar dhe misionin për të cilin është ngritur dhe është financuar rëndë SPAK, goditjen e “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit në këtë vend.
Dhe pas takimit, teksa ambasada e SHBA zbardh detajet e bisedës me Dumanin, shkruan se Yuri Kim ritheksoi që SHBA do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. “Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbëstesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush s’është mbi ligjin”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga ambasada.
Për këtë arsye vizita e ambasadores Yuri Kim shihet dhe si një mbështetje e fortë amerikane për prokurorët e SPAK, përballë presionit të fortë të politikës, një pjesë e së cilës ka dosje të rënda në shqyrtim në duart e prokurorëve të posaçëm. Pasi nuk kalon asnjë ditë pa presione të forta.
Janë dosje përvëluese këto, duke filluar nga shpërthimi tragjik i “Gërdecit”, ku mbetën të vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Çështja është e hapur, sado që politika përmes njerëzve të saj në drejtësi kërkon ta quajë të mbyllur, si një “aksident teknologjik”.
Kjo dosje përpos të vrarëve të deklaruar nga shpërthimi shtetëror e korruptiv, ka dhe ‘efekte’ të tjera anësore, si vdekja misterioze e Kosta Trebickës, njërit prej biznesmenëve shqiptarë që paketonte municionet kineze me etiketë tjetër, ishte me shtetësi amerikane ai, i cili humbi jetën në një aksident të çuditshëm teksa gjuante shpendë në rrafshnaltën e Korçës.
Njëherësh kjo dosje ka në themel dhe rrëfimin e ish shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Luan Hoxha, për ish ambasadorin amerikan Uidhers, e fiksuar dhe në “arkivën” e DASH, si kabllogramet e tjera të dërguara prej tij. Ka marrë azil politik në SHBA gjeneral Luan Hoxha, nga frika se e vrasin njerëzit e ish kryeministrit dhe jo nga qejfi.
Ndërkohë një dosje tjetër e nxehtë është dhe vrasja e 4 demonstruesve të opozitës së atëhershme nga Garda e Republikës, në mes të bulevardit përballë kryeministrisë, më 21 janar 2011. Çështja është e hapur, pasi vrasja e Aleks Nikës është pa autor e s’është mbyllur. Ekspertiza amerikane e ka thënë fjalën e saj, tjetër se nuk u mor parasysh. Madje u dhunua dhe drejtësia, prokurorët nuk u lanë të marrin asnjë provë në vendngjarje, madje as të shikonin kamerat e sigurisë së kryeministrisë, të cilat u fshinë të gjitha dhe as të pyesnin krerët e policisë dhe Gardës. Fundja janë bërë ekspertiza dhe pas 70 vitesh në shumë vende, nuk përshkruhet ky lloj krimi.
E njëjta gjë dhe me përgjimin e famshëm të ish ministrit Dritan Prifti, ku u injorua ekspertiza e huaj dhe u përdorën ekspertë të përzgjedhur nga “laboratori” i partisë për të hedhur poshtë tërë video-përgjimin. Ekspertë që më pas morën dhe tendera të majmë nga shteti, që nga ‘byzylykët’.
Kemi dosjen e Rrugës së Kombit ku u zhdukën mbi 230 milionë euro, e ka thënë KLSH këtë, është shumë që është nxjerrë nga ekspertët e saj dhe këto para duhet të kthehen në arkën e shtetit, të paktën për të mbuluar ndonjë shpenzim për vetë këtë rrugë që s’po mbaron kurrë. Përgjegjësit pastaj janë në dorë të drejtësisë, të bëjë ç’të dojë me ta, vetëm të derdhin lekët e vjedhur. Këtë duam ne.
Kemi dosjen e privatizimit të ish kompleksit “Partizani” në SPAK, kemi dosjen e aferës 500 milionë euroshe CEZ-DIA, kemi dosjen e lobimit në SHBA me financime të padeklaruara në KQZ, janë gjysmë milioni euro financim nga Rusia për destabilizimin e vendit dhe 1.2 milionë euro të tjera financime të pashpjegueshme e të padeklaruara, ku përfshihen dhe ndihma plastike e mjekësore për paraqitjen e jashtme dhe rregullimin e tretjes për “liderët” tanë. Duan të duken dhe të bukur ata, të paktën artificialisht, dhe jo me lekët e veta por me lekët tona.
Janë dosje që po shqyrtohen nga SPAK, por dhe që një pjesë e letër-porosive të dërguara në SHBA, Britani, Qipro e vende të tjera kanë ardhur tashmë përgjigjiet dhe po shqyrtohen në institucionin më të lartë të hetimit. Janë dhe dosje të tjera të korrupsionit që po shqyrtohen, ose sëpaku janë marrë në dorëzim nga ana e SPAK. Të gjitha këto kërkojnë vullnet për t’u hetuar e kopsitur. Kërkojnë dhe këllqe në fakt.
Pasi deri më tani është treguar se jo vetëm nuk kanë mundur të thërrasin aktorët e akuzuar të korrupsionit për t’u pyetur, por nuk u zihet as emri në gojë. Deri më tani themi, pasi shpresojmë se lidershipi i ri i SPAK do të këtë qasje tjetër ndaj dosjeve të rënda të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Dhe ndaj atyre që e bënë këtë korrupsion.
Në këtë funksion e shohim dhe vizitën e Yuri Kim në SPAK, për të dhënë mbështetje për këtë institucion që të bëjë punën e tij, për t’i dhënë zemër, dhe për t’i thënë se SHBA e BE vijojnë të besojnë dhe ta mbështesin në luftën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në vend.
Ndoshta i është dhënë dhe mesazh tjetër akoma më i fortë, final të themi, institucionit më të lartë të hetimit në Shqipëri, i cili deri më tani s’ka arritur të kopsisë asnjë dosje, megjithëse i ka thuajse të gatshme të gjitha ato që përmendëm më sipër. Por dhe të tjera të këtij lloji. Mjafton të ketë vullnet, integritet dhe këllqe për t’i ‘lidhur’ dhe “postuar” tek Gjykata e Posaçme.
Nëse janë të pafajshëm, le të jetojnë si të tillë. Ndryshe, të marrin atë që meritojnë. Mbi të gjitha, të kthejnë ato të shkreta para që kanë vjedhur, shqiptarët kanë nevojë për t’i futur në punë këto lekë, për t’i bërë rrugë, shkolla dhe objekte e teknologji mjekësore. Mesazhi i SHBA e BE është i lexueshëm, e tregon dhe simbolika e vizitës së Kim në SPAK, ditën e pestë të vitit që sapo hymë.
Të paktën ata që kanë vjedhur këto popull dhe thërrasin për luftë ndaj korrupsionit, ndaj varfërisë e largimeve të rinisë nga vendi, të ‘derdhin’ në arkën e shtetit paratë e vjedhura. Me ‘ndihmën’ e drejtësisë t’i kthejnë, të kuptohemi. Ju garantojmë se do marrë ‘goditje’ varfëria me këto para të rikthyera. Pa llogaritur se do merrte fund dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë.