Vala e dëmtimeve ka shtyrë Milanin në reflektime. Nëse në repartet e tjera zgjidhja gjendet, sulmi ka mbetur i varur nga Zhiruja pas dëmtimit më të fundit të Rebiçit, ndërkohë që Origi e Ibra janë në infermieri. Në verë do të afrohet një “pykë” dhe ky është fakt. Emri më i ri vjen nga Portugalia.

Gazeta e njohur sportive “A Bola” në fakt shpjegon se si “Djalli” për sezonin 2023-2024 po vëzhgon nga afër ecurinë e sulmuesit brazilian Evanilson, i lindur në vitin 1999, në pronësi të Portos. Sulmuesi në fjalë ka shënuar tetë gola në pjesën e parë të sezonit me “Dragões” dhe është objektivi i Milanit për vitin e ardhshëm.

Por sa kushton? Evanilson në kontratën e tij me klubin portugez ka një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh dhe mesa duket presidenti Pinto da Kosta dëshiron ta shesë për këtë shumë. Përndryshe, ai do të ishte i gatshëm ta mbante deri në skadimin e kontratës.

Maldini, nga ana e tij, do të synonte të negocionte për të ulur ndjeshëm këtë shumë në mënyrë që të vishte lojtarin kuqezi.

Sigurisht nuk mungojnë edhe planet rezervë. Njëri syresh lidhet ngushtë me Armando Brojën.

I dëmtuar prej një muaji, shqiptari do të mund të shohë fushën në sezonin e ardhshëm dhe Milani mund të përfitojë nga dëmtimi për ta blerë me një çmim shumë herë më të ulët se sa 40 milionë eurot që Çelsi e vlerësonte përpara lëndimit.