Pas finales së Superkupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Realit dhe asaj të Italisë mes Interit dhe Milanit, stadiumi “King Fahd” në Arabinë Saudite do të presë sonte në mbrëmje një tjetër ndeshje luksi.

Paris SG-ja e Lionel Mesit do të përballet me një seleksion lojtarësh që luajnë në kampionatin saudit, mes të cilëve edhe Kristiano Ronaldo.

Në këtë mënyrë dueli i përjetshëm mes Mesit dhe Ronaldos është transferuar në Arabinë Saudite. Miqësorja ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm, teksa klubi parisien do të arkëtojë rreth 10 milionë euro nga kjo miqësore.

Por edhe çmimet për ata që do të duan ta ndjekin ndeshjen nga tribunat e “King Fahd” do të jenë vërtet të larta, shumë më të larta se finalja e Superkupës së Spanjës apo Superkupës së Italisë.

Stadiumi pritet të jetë i mbushur në kapacitet të plotë, 67 mijë vende, ndërkohë që mediat raportojnë se një biletë në tribunën VIP ka arritur shifrën marramendëse të 2.6 milionë eurove!