Nuk kanë fund telashet për legjionarët, edhe pse ky i fundit nuk është serioz. Futbollisti më i fundit që ka ndierë shqetësime, duke humbur ndeshjen e radhës, ishte Myrto Uzuni.

Mediat spanjolle bëjnë me dije se mungesa e talentit beratas rezultoi një habi, teksa shkak u bënë disa shqetësime, të cilat Uzuni i kishte zvarritur disi, duke bërë që ai të humbasë aktivizimin nga minuta e parë në një ndeshje decizive si ajo ndaj Levantes.

Por gjithçka e ka zbuluar trajneri i tij te Granada, Pako Lopes i cili është shprehur: “Kishte probleme në seancën e fundit stërvitore. Ne menduam se nuk ishte asgjë e rëndësishme, por kur u zgjua ishte me dhimbje dhe u vendos që të mos udhëtonte, pasi nuk ishte i aftë për të luajtur”, u shpreh trajneri për ndeshjen, të cilën Granada e humbi me shifrat 3-1.

Ndërkohë sulmuesi i Kombëtares po pret përgjigjen e testeve të bëra për të mësuar edhe shkallën e lëndimit dhe kohën e rikuperimit. Deri tani, Uzuni është autori i 12 golave në kampionat, më shumë se kushdo tjetër.