Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë dhe ministrja e Arsimit dhe e Sportit lancuan sot programin e kodimit për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë e që duan të thellojnë njohuritë eë tyre në këtë fushë ose që kanë dëshirë të ndryshojnë karrierë. Ky program implementohet nga Ministria e Financave nëpërmjet Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim.
Të rinjtë që do duan të bëhen pjesë e kurseve të kodimit që do të subvencionohen nga qeveria do mund të aplikojnë nga sot përmes e-Albania. Aplikimi bëhet në portalin qeveritar https://e-albania.al në shërbimin: “Aplikim për kursin e Formimit Profesional me mbështetje financiare”.
“Edukimi Digjital dhe Aftësitë Digjitale: Transformimi i të mësuarit dhe mësimdhënies” është një nga prioritetet e Qeverisë nëpërmjet Agjendës Digjitale, por dhe fokus i veçantë i Ministrisë së Arsimit.
Ministrja Muzhaqi tha se mbështetja për të rinjtë do të variojë nga 150 mijë lekë deri në 300 mijë lekë, ndërsa do të ketë subvencionim me 200 mijë lekë edhe për përshtatjen e kurseve për të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Ministrja theksoi se një ndër qëllimet kryesore të këtij programi është që të ndërlidhë të rinjtë me tregun e punës. Për këtë arsye në event ishin të ftuar dhe shoqëri tregtare e biznese të cilat kanë mundësi të kontribuojnë në përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.
Në këtë event prezantues të programit morën pjesë të rinj të cilët ndanë eksperiencat e tyre të suksesshme pas kursit të kodimit, shumë prej të cilëve menjëherë pas kursit kanë filluar punë në kompani prestigjioze në fushën e teknologjisë, si Lufthansa.