Pas 6 vitesh nën drejtimin e Roberto Martinez, përfaqësuesja belge është e detyruar të gjej një trajner të ri. “Djajtë e kuq” kanë nisur prej kohësh, menjëherë pas përfundimit të Botërorit, sondazhet për të gjetur një zëvendësues, pasi dhe pista Thierry Henry është zbehur shumë. Asistenti i Martinez, ish sulmuesi i famshëm francez, fillimisht shprehu dëshirën për të marrë drejtimin e Belgjikës, por më pas u tërhoq duke theksuar se nuk ka pasur kurrë asnjë kontakt me përfaqësuesit e federatës.
Sipas Daily Mail, në listën e dëshirave të drejtuesve janë tre emra të njohur: Low, Pochettino dhe Andre Villas-Boas. Low është trajneri i vetëm që ka eksperiencë në drejtimin e një ekipi përfaqësues, 15 vite në krye të Gjermanisë e bëjnë atë kandidatin kryesor.
Një tjetër emër i rëndësishëm është edhe Pochettino, ish trajner i Tottenham dhe PSG, të dy janë trajner të lirë. I treti në listë është Andre Villas-Boas, dikur një nga emrat më premtues, por vitet e fundit ka preferuar paratë dhe jo klube të njohura. Çdo trajner që do të marrë drejtimin e Belgjikës duhet të bëjë llogaritë me një ekip të vjetër në moshë, ku revolucioni është i pashmangshëm.