Menjëherë pasi mësuan lajmin e ndarjes nga jeta të Gianluca Vialli-t, personalitete të sportit dhe jo vetëm kanë shprehur ngushëllimet e tyre. Ndër të parët që bëri homazh ishte presidenti i federatës italiane, Gabriele Gravina:

“Jam thellësisht i pikëlluar, shpresoja deri në fund që ai do të ishte në gjendje të bënte një mrekulli tjetër, megjithatë jam i ngushëlluar se ajo që bëri për futbollin italian dhe axurrët nuk do të harrohet kurrë” – u shpreh Gravina, i cili tha gjithashtu se në të gjitha stadiumet në të gjitha nivelet në Itali do të mbahet një minutë heshtje.

Ish-klubi i Vialli-t, Sampdoria bëri një dedikim prekës. “Ke ardhur si djalë, po të përshëndesim si burrë. Të imagjinojmë mes Paolo Mantovanit dhe Vujadin Boskov, të lumtur që ata do të përqafojnë sërish.”

Juventus ishte skuadra me të cilën Gianluca Vialli fitoi më shumë tituj. Dhe klubi torinez shkroi një mesazh prekës: “Çfarë trishtimi i pafund. Na lë një kampion, një legjendë, një njeri i madh, një pjesë e jona dhe e historisë sonë. Ne kemi qenë me ti gjithmonë Gianluca që kur erdhe në 1992 dhe ishte dashuri me shikim të parë.”

Shumë e vajtojnë Viallin edhe në Angli, jo vetëm te Chelsea apo Watford, që e kishin lojtar dhe trajner. “Ti je një legjendë për ne dhe për të gjithë futbollin. U prefsh në paqe Gianluca Vialli” – shkruan klubi i Chelseat. Edhe mediat sportive në mbarë botën kopertinën e kanë pikërisht me lajmin e humbjes së Viallit.