Për vite e vite, Karlo Ançeloti dhe Xhenaro Gatuzo kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera mes tyre. Ata madje shiheshin në sytë e publikut si një familje. Edhe deklaratat e ndërsjella në adresë të njëritjetrit vetëm sa konfirmonin gjithçka perceptohej e flitej në publik. Por në fund të 2019-ës diçka ndodhi mes tyre dhe bashkëjetesa mes të dyve u bë gati toksike. Gjithçka lidhet me rokadën Ançeloti-Gatuzo te Napoli.

Që nga ai moment marrëdhëniet mes tyre nuk janë më të njëjtat. Të dy e kanë konfirmuar një gjë të tillë në konferencën për shtyp para përballjes mes Realit të Madridit dhe Valencias për Superkupën e Spanjës sonte në mbrëmje.

Sot, dy personazhet do të kthehen të flasin mes tyre pas një viti. Raporti mes tyre nis në vitin 2001, kur trajneri aktual i Realit ishte në stolin e Milanit, ku qëndroi deri në vitin 2009. Në fund të vitit 2019, Ançeloti la Napolin, me De Laurantis që zgjodhi Gatuzon si pasues.

Në konferencën e prezantimit, pyetjet për Rinon ishin të shumta. Kishte edhe nga ato me spec në lidhje me punën e bërë nga paraardhësi i tij, Ançeloti. Gatuzo nuk vuri në diskutim punën e mësuesit të tij.

Por edhe kjo fshihte diçka. Ançeloti kishte mbetur i ofenduar nga Gatuzo, që ky i fundit nuk i bëri një telefonatë para se të pranonte të merrte drejtimin e Napolit. Ky ishte vetëm fillimi.

Më pas një deklaratë disi e pavëmendshme e Gatuzos vetëm sa e përkeqësoi situatën.

“Duhet të kthehemi të mendojmë më shumë për gjëra, të cilat për shumë kohë kjo skuadër nuk i ka bërë. Kjo skuadër ka prekur fundin, ndaj kemi nevojë për të përmirësuar kondicionin fizik”, deklaronte Gatuzo duke hedhur hije dyshimi mbi punën e Ançelotit.

Një kritikë profesionale, të cilën Karlo nuk mund ta kapërdinte. Që nga këtu marrëdhëniet mes tyre morën një drejtim tjetër dhe të dy e kanë pranuar se kanë probleme e nuk flasin mes tyre prej një viti.

Në Spanjë shpresojmë për një fund të lumtur, me një përqafim të zakonshëm mes të dyve.