Nga Dritan Hila/

Viti që sapo kemi shkelur është i fundit i zgjedhjeve lokale dhe mesi para atyre të përgjithshme.

Pas pak do të vijë pranvera e pas saj behari.

Bashkë me to edhe stina kuvendore ku do dëgjojmë të shara e të qara. Kuptohet që protagonistët do jenë ata që kanë më shumë talent duke filluar nga Rama. I dyti Berisha, edhe pse ky tashmë nuk ka më fjalor të ri. Do ti mbajë iso Meta me ëëë, për të ndërhyrë tek tuk ndonjë zë i dytë a i tretë, ashtu si në polifoninë labe. Ka edhe outsider që ju bie në kokë dielli i janarit, që lëshojnë ndonjë mufkë sa për të thënë që jemi edhe ne. Bereqavers. Se ç’do ishte bota pa ta?

Për median shyqyr që janë pasi është spektakli më pa shpenzime. E për një media të pakualifikuar si kjo jona ku çdo analist ngjan me punonjës agjitpropi, është parajsa mbi tokë.

Pastaj kur të vijë behari do fillojë sezoni i terrorizimit të operatorëve turistikë. Gazetarët do tregojnë si u shtrinë pa lek në Turqi dhe si hëngrën bukë e djathë në çadrën pa pagesë në Greqi. Do fillojnë të gjuajnë ndonjë pronar zhezlonesh që bën sherre pse nuk i paguajnë atë taksë të mjerë dhe nga kjo do tmerrohen të gjithë ata që kanë pritur këto dy muaj të bëjnë dy pare punë. Do shajnë shtetin pse nuk pastron plazhet në fund të ditës kur bregun e lanë plot lëkurë bostani. Larg qoftë po u mbyt njeri se do fillojnë të kërkojnë pse nuk janë rojet bregdetare që duhet ti vendosë pronari që nuk i paguajnë as çadrën.

Muajt që vijnë do nxehin gjakrat e komentuesve të portaleve ku çdo hale publike do ta kishte zili fjalorin. Janë muajt kur kuvendi konkurohet në fjalor denjësisht nga populli.

Por në gjithë këtë tollovi do ishte një mrekulli nëse deputetët do promovonin turizmin, do nxirrnin foto nga lokalet ku shkojmë dhe qytetet ku bujtin. Nga 140 që ka ky kuvend as 20 nuk bëjnë për punën që janë. Askush nuk pretendon që të bëjnë strategji zhvillimi. Por të paktën të promovinin lokalet, hotelet dhe bukuritë e zonave që i votojnë. Kaq pak munden ta bëjnë.