Pas prezantimit zyrtar nga Al Nassr, Cristiano Ronaldo u vu në dispozicion të trajnerit Rudi Garcia me dëshirën për të debutuar me skuadrën saudite këtë të enjte, kundër Al Tait, në kuadër të javës së 12-të të kampionatit vendës. Mirëpo siç raportohet këtë të mërkurë nga “Daily Mail”, CR7 do të duhet të presë, pasi nuk ka shlyer pezullimin prej dy ndeshjes e vendosur nga Federata Angleze, pas episodit të diskutueshëm me një tifoz të Evertonit .

Ndëshkimi për CR7 u njoftua më 23 nëntor, kur Botërori kishte nisur. Në fakt, ky lloj pezullimi nuk shtrihet në sfidat e kombëtareve, por mbetet në nivel klubesh, në bazë të nenit 12.1 të Rregullores së FIFA-s për statutin dhe transferimin e lojtarëve. “Çdo sanksion disiplinor deri në katër ndeshje ose deri në tre muaj, që i është vendosur një lojtari nga një Federatë, por që nuk është zbatuar ende (plotësisht) në momentin e transferimit, do të zbatohet nga Federata e re, ku lojtari është regjistruar,” lexohet në rregullore. Nëse vërtetohet ky skenar, Ronaldo mund të debutojë me Al Nassr-in vetëm më 21 janar, kundër Al-Ettifaq, duke munguar edhe në ndeshjen kundër Al Shabab (më 14 janar).

Janë edhe dy çështje të tjera për t’u zgjidhur, që Ronaldo të mund të federohet si futbollist i Al Nassr. E para është shitja e një lojtari të huaj nga Al-Nassr (lejohen vetëm 8). E dyta lidhet me shlyerjen e borxheve ndaj futbollistit Giuliano, i cili ka luajtur në Arabinë Saudite nga viti 2018 deri në vitin 2020.