Nga Monika Stafa/
Dy mijë vjet më parë, Perandoria Romake jetoi shkëlqimin e fuqisë së saj.
Trupi i saj shtrihej prej ishullit britanik deri në Detin e Zi dhe nga Spanja në perëndim deri në Egjipt. Aftësitë e saj ushtarake, arritjet teknike dhe kulturore sot e kësaj dite të lënë pa mend e nuk kanë asnjë krahasim bashkëkohor.
Banorët e saj ishin të parët që kuptuan se sa e rëndësishme ishte infrastruktura për një jetesë normale. Vetëm po të kujtojmë se ata jetonin në shtëpi me dysheme të ngrohur, mund ta imagjinojmë se sa përparimtarë ata ishin.
Dhe kjo nuk ndodhi vetëm në qytetet e mëdha. Në rajonet e largëta të provincave kishte rrugë të përshtatshme dhe tregtia aty lulëzoi paq. Njerëzia freskohej përmes burimeve termale dhe shijonte ushqime të shkëlqyera, ndërsa argëtohej në teatro dhe arena cirku.
Një ditë ajo ra.
Si u shemb një perandori kaq e madhe?
Një gjë është e qartë; nuk pati asnjë shkëndijë shkreptime që i dha fund asaj. As zjarr nga qielli e as nga toka. Nëse do të kishte qenë kaq e lehtë, ndoshta nuk do të kishim sot ato muze dhe ekspozita mbushur me artefakte aq të rralla por dhe studiuesit nuk do të ishin marrë me këtë temë prej shekujsh.
Historia na mëson se rënia e saj ishte një ‘zinxhir i gjatë ngjarjesh’.
Shtrirja e saj e madhe, në tre kontinente mbetej gjithmonë një sfidë e çmendur për gjeneralët romakë. Duke aneksuar gjithnjë e më shumë vende, ata shtonin edhe provincat e perandorisë, të cilat lindte nevoja që të mirëmbaheshin. Shpenzimet e larta ushtarake ishin detyrë parësore e ditës, që kufijtë e jashtëm të saj të mund të siguroheshin fort. Këto arritje gëlltisnin vazhdimisht shuma të mëdha parash.
Cfarë ndodhi?
Është fakt se kishte banorë që kërkonin t’u shpëtonin hunëve pushtues, por edhe romakë që nuk ishin në gjendje t’i mbronin vetë kufijtë e tyre, sepse numri në popullatë i tyre po binte. Nuk kish më lindje mjaftueshëm e që këtej numri i ushtarëve ishte i mangët.
Për shkak se ajo nuk mund të mbahej më, u sugjerua depërtimi dhe zbrazja e territoreve romake nëpërmjet migrimit të fiseve barbare. Por këtë studiuesit nuk e thonë më zë të lartë.
Ushtarë të huaj u rekrutuan nga radhët e ‘barbarëve’ për të forcuar ushtritë romake. Por të ardhurit nuk u bënë kurrë ‘romakë’. Në zemrat e tyre, ata mbetën gjermanikë dhe jo gjithmonë ndoqën urdhrat e legjionarëve të tyre romakë. Ata madje u përfshinë në luftëra civile, e këto konflikte të brendshme e dobësuan shumë perandorinë.
Perandoria u nda midis bijve të saj: në Romën perëndimore dhe atë lindore. Ajo nuk kishte më as edhe një administrim efektiv dhe as ndonjë mekanizëm të mirëmbajtjes së infrastrukturës. Dalëngadalë, ndryshimet u bënë të dukshme, veçanërisht në qytete. Ujësjellësit u prishën sepse askush nuk dinte t’i mirëmbante. Në vend të kopshteve dekorative, fiset gjermanike mbollën perime; statujat prej mermeri u shkatërruan sepse materiali u bë i nevojshëm për të ndërtuar shtëpi. Hap pas hapi filloi të zhdukej edhe kultura romake.
Që këtej lufta mes vendasve dhe ardhacakëve ‘barbarë’ në botëkuptim mbeti një luftë e përbotshme mes metropolit si mendësi dhe provincës, gjithashtu.
Prej këndej, unë e risjell në mendje gjithmonë si lindi koncepti i provincës apo dhe i provincialit.
Par association d’idées, ku tjetër më shfaqet ai?
Vepra e fundit e botuar e Honoré de Balzac, ‘Fshatarët’, u botua pas vdekjes së tij, në 1855. Romani i ndërton ngjarjet në rajonin francez të Burgundisë dhe fokusohet në historinë e antagonizmit mes dy botëve apo dy shtresave; ajo qytetëse me një dëshirë të mirë për ta shijuar jetën brenda edhe egos së vet dhe ajo fshatare që atyre u shërben. Megjithëse Balzaku ka me dhjetra përshkrime të gjalla të fshatit të bukur, rrëfimi i tij për jetën rurale në këtë roman nuk është aspak piktoresk. Ashtu si tek ‘Të mjerët’ e Hygoit, për të, njerëzit e varfër mbeten zuzarë. Dhe si të tillë, për ta Balzaku mbetet një shkrimtar i pamëshirshëm, duke mos i dhënë atyre thuajse asnjë cilësi shëlbuese.
Megjithëse, edhe pse zakonisht preferoj më shumë pikëpamjet e majta mbi luftën e klasave, prapë arrij gjithmonë t’i referohem këtij romani kur para më del fytyra e vërtetë e provincës apo dhe i një provinciali.
Romani “Provinca” i Liridon Mulaj më nxiti kureshtjen që prej titullit dhe pse ta mohoj edhe shtjellimin e përmbajtjes së tij. Përshkrimi origjinal e tejet unik si dhe fuqia e gjuhës, më krijoi një angështim duke i dhënë të drejtë ndërgjegjes për atë cfarë kisha menduar më sipër. Një mjedis ku padrejtësitë e panumërta gjejnë vendin e tyre deri në qoshet më të thella të shpirtrave të çdo fëmije.