Debutim me fitore për Cristiano Ronaldon. Pas provave teknike ndaj PSG-së, portugezi me shiritin e kapitenit qëndroi për 90 minuta në triumfin 1-0 që Al Nassr shënoi ndaj Al Ettifaq për të marrë kështu kreun e Superligës së Arabisë Saudite. Interesi për të parë Ronaldon në aksion ishte i jashtëzakonshëm.

Pavarësisht rasteve të krijuara, Ronaldo nuk arriti që të jetë konkret para portës, teksa tentativat e tij nuk përfunduan në rrjetë. 37-vjeçari dështoi për të tejkaluar 800 golat e tij në nivel klubi dhe përfaqësuese, teksa në rrjetet sociale u shfaq tepër i kënaqur.

“Ndeshja e parë, fitorja e parë. Bravo djema! Faleminderit të gjithë fansave për mbështetjen e jashtëzakonshme” shkruan Ronaldo.

Rreth 23 mijë tifozë mbushën shkallët e stadiumit “Mrsool Park”, impiant që ka një kapacitet prej 25 mijë tifozësh dhe prodhoi një pritje spektakolare për37-vjeçarin.

“Kam ardhur për Ronaldon. Duke qënë se ishte ndeshja e parë, performanca nuk ishte ashtu siç pritej, por ne e shijuam shumë.”

Tashmë Al Nassr kryeson kampionatin ndërsa numëron 1 pikë më shumë se Al Hilal dhe ka luajtur një ndeshje më pak se ta.