Ditën e sotme, do të ketë një mbledhje në Kosovë për të diskutuar rreth Asociacionit. Në ambasadën e SHBA në Kosovë do të mblidhen zyrtarët të Presidencës, Qeverisë, Kuvendit, shoqërisë civile e të tjerë.

Ambasada amerikane në Kosovë do të mbajë takim me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve kryesore të vendi si dhe me anëtarë të tjerë të shoqërisë civile, për të diskutuar për mënyrat e themelimit të Asociacionit.

Deri tani dihet se në takim do të marrë pjesë një përfaqësues i Presidencës, një tjetër nga kryetari i Kuvendit të Kosovës. Në anë tjetër, Qeveria e Kosovës ka theksuar se kryeministri Kurti nuk ka pranuar ftesë, por shefi i kabinetit të tij, Luan Dalipi.

Po ashtu, nga Qeveria do të jetë ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi. Të dy, nga pakicat etnike në Kosovë. Edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla do të marrë pjesë në këtë takim.

Përveç institucioneve, në takimin për Asociacionin do të marrin pjesë edhe rreth 40 personalitete të larta të jetës publike në Kosovë. Ftesë kanë marrë edhe partitë politike të pakicave etnike.

Sipas Nacionales, përveç të lartpërmendurve, do të marrin pjesë edhe figura të shoqërisë civile si Naim Rashiti, Blerim Shala, Ismet Kryeziu dhe Agon Maliqi. Gjithashtu, në takim do të jetë i pranishëm edhe Rene Schlee – përfaqësues rezident i Friedrich-Ebbert-Stifftung (FES) në Kosovë.