Ky ishte një vit që e vuri botën në provë. Nga pushtimi i Ukrainës, Covid-19 dhe inflacioni, te ndryshimet klimatike, tensionet Kinë-SHBA dhe zgjedhjet vendimtare presidenciale, viti 2022 e vuri botën përballë pyetjeve të vështira.
Sprova që solli ky vit, jo vetëm që e ka orientuar botën në një drejtim të ri, por edhe e ka nxjerrë atë në një dritë të re, shkruan “The Economist”.
Surpriza më e madhe – dhe më e mirëpritura – ka qenë qëndrueshmëria e shteteve liberale perëndimore. Kur Vladimir Putin urdhëroi dërgimin e trupave ruse në Ukrainë më 24 shkurt, ai priste që qeveria e një shteti të korruptuar të tërhiqej pa probleme. Pas një tërheqjeje poshtëruese nga Afganistani në vitin 2021, Perëndimi në rënie dhe i përçarë siç ishte, me siguri që nuk do të arrinte dot të dënonte Rusinë dhe të mbështeste siç duhet Ukrainën.
Por në fakt, Volodymyr Zelensky dhe njerëzit e tij, treguan se ia vlen të vdesësh për vetëvendosje dhe liri. Ata u kthyen në një frymëzim. Pas rritjes së mbështetjes popullore, qeveritë perëndimore mbështetën me gjithë forcat kampionin e ri të demokracisë. Udhëhequr nga administrata Biden, Perëndimi po ofron armë dhe ndihmë në një shkallë të papërfytyrueshme më parë.
Votuesit gjithashtu treguan vullnetin e tyre, duke u kthyer shpinën populistëve. Në Amerikë, pavarësisht popullaritetit të ulët të Joe Biden, votuesit me pikëpamje centriste mbështetën të drejtat themelore të njeriut, duke përfshirë në disa shtete, të drejtën e abortit, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi ligjin Roe versus Wade.
Në zgjedhjet e ndërmjetme, pothuajse të gjithë kandidatët që nuk pranonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe që mbështesnin Donald Trump, humbën.
Në Francë, Marine Le Pen u përpoq të maskonte origjinën e saj si ekstremiste e djathtë, por sërish humbi përballë presidentit centrist Emmanuel Macron. Pasi Giorgia Meloni u bë kryeministrja e parë e ekstremit të djathtë në Itali që nga koha e luftës, ajo anoi nga pikëpamja centriste. Edhe në Britaninë e përfshirë nga krizat, si laburistët ashtu edhe konservatorët qeverisës, kanë llogaritur se fitorja nuk mund të sigurohet, duke mbështetur ekstremet populiste të së djathtës apo së majtës.
Ndërsa demokracitë po tregojnë vendosmëri të habitshme, autokracitë në dukje të qëndrueshme, janë treguar të dobëta. Putini është shembulli kryesor, duke përkeqësuar gjithnjë e më tepër gjendjen katastrofike ku e ka futur vendin. Por ai nuk është i vetmi. Pas tre muajsh protesta që nisën për shkak të vdekjes në paraburgim të një vajze iraniane të quajtur Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar për mosrespektim të rregullave të mënyrës së mbajtjes së shamisë, forcat e sigurisë në Iran kanë qëlluar me armë zjarri gratë nëpër fytyrë, gjoks dhe organe gjenitale.
Tani që mullahët kanë humbur besimin e popullit, atyre nuk u ka mbetur më mjet tjetër, veç dhunës.
Ata që i admirojnë udhëheqësit e fortë me arsyetimin se janë të aftë të realizojnë gjëra, duhet të kenë kujdes se çfarë dëshirojnë. Xi Jinping ka zgjeruar mbizotërimin e Partisë Komuniste Kineze, duke u vetëshpallur si kryetari i saj i përhershëm dhe udhëheqësi më i fuqishëm që nga Mao Ce Duni.
Por hapat e tij për të ftohur tregun e pronave, për të frenuar teknologjinë e konsumatorit dhe për të bllokuar Covid-19, i shkaktuan dëm të rëndë ekonomisë. Sot, ndërsa virusi vazhdon të përhapet, është e qartë se qeveria e tij dështoi në vaksinimin e të moshuarve, në grumbullimin e ilaçeve dhe në ndërtimin e shtretërve të kujdesit intensiv.
Edhe kontrolli gjithëpërfshirës i Kinës mbi shoqërinë, tregoi se kishte të meta. Edhe pse shërbimet kineze të sigurisë goditën protestat muajin e kaluar, këto protesta ishin shkaktuar nga imazhet e turmave të tifozëve pa maska në Katar, që po shihnin Kampionatin Botëror të Futbollit.
Për të gjithë ata që përqafojnë vlerat klasike liberale, përfshirë këtë gazetë, qëndrueshmëria perëndimore është nxitëse – dhe një ndryshim i rëndësishëm pas një tërheqjeje të gjatë. Por viti 2022 ka nxjerrë në pah edhe thellësitë e ndarjeve në botë dhe ka normalizuar idenë e qeverisë së madhe.
Për të kuptuar ndarjet, mjafton të krahasoni mbështetjen pothuajse universale për Amerikën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, me vendosmërinë e jugut të globit për të qëndruar asnjanës ndaj luftës në Ukrainë.
Në votën më të fundit të OKB-së për të dënuar Rusinë, 35 shtete abstenuan. Shumë janë të pakënaqur sesi Perëndimi i trajton shqetësimet e veta si çështje globale, ndërsa lufta në Jemen ose në Bririn e Afrikës, apo thatësirat dhe përmbytjet e lidhura me klimën, trajtohen si çështje rajonale.
Në pjesën më të madhe të botës, vlerat liberale janë në rrezik. Pavarësisht humbjes së Jair Bolsonaro-s në Brazil, demokracia është e cenuar në Amerikën Latine. Ndërkohë që Turqia është përfshirë nga inflacioni shkatërrues, Rexhep Tajip Erdogan po ndjek penalisht kundërshtarët e tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2023.
Në Izrael, Binyamin Netanyahu po përpiqet të shmangë burgun për korrupsion, duke formuar koalicion me të djathtën ekstreme, që urren arabët dhe homoseksualët. Indonezia miratoi një kod penal joliberal në dhjetor, që kërcënon të ndalojë seksin jashtë martese, të mbysë lirinë e fjalës dhe të imponojë ortodoksinë fetare.
Ekonomia e Indisë po mbushet me sipërmarrje të frymëzuara nga teknologjia, por politika e saj është mazhoritare, e shëmtuar dhe mizore.
Në mbarë botën, ideja e një qeverisjeje të kufizuar është duke u mposhtur. Për shkak të goditjes së energjisë, qeveritë europiane po derdhin para për të rregulluar çmimet. Ato po fuqizojnë edhe tranzicionin larg lëndëve djegëse fosile, duke përdorur politikën industriale dhe jo tregjet.
Përgjigjja e Amerikës ndaj kërcënimit të sigurisë nga Kina, është vendosja e barrierave tregtare dhe subvencioneve për të shkëputur ekonominë e saj dhe për të nxitur industritë vendase. Por nuk duket se i bëhet vonë nëse kjo dëmton aleatët e Amerikës.
Nacionalizmi ekonomik është tashmë popullor. Pandemia ndryshoi pritshmëritë për ndërhyrjen e shtetit. Shkatërrimi kreativ, i cili rialokon kapitalin dhe punën, mund të jetë i papëlqyer nga popullsia e plakur që nuk përfiton shumë nga rritja ekonomike dhe votuesit më të rinj që përqafojnë politikën e identitetit.
Por kapitalizmi i qeverisë së madhe ka një histori dështimi. Duke pasur parasysh inflacionin e lartë prej dekadash, i shkaktuar pjesërisht nga politika e gabuar fiskale dhe monetare, veçanërisht në Amerikë, është e çuditshme që votuesit duan të shpërblejnë politikanët dhe zyrtarët, duke u dhënë atyre pushtet mbi pjesë të ekonomisë që nuk janë të përshtatshme për t’u drejtuar prej politikës.